Boksieri Jurgen Uldedaj ka fituar titullin botëror WBO në kategorinë “Cruiser” pasi është përballur me argjentinasin Nicolas Leandro Arganaraz në sallën “Feti Borova” mbrëmjen e së shtunës.
Boksieri lezhjan mbante rekordin 9 fitore dhe asnjë humbje në karrierën e tij si profesionist, ndërsa ndeshja e mbrëmjes së sotme është e para në karrierën e tij si profesionist në Shqipëri dhe regjistron fitoren e 10-të për të.Raundi i parë ishte intensiv, me të dy boksierët që grushtonin, me një epërsi të lehtë të argjentinasit.
Edhe i dyti dukej si një raund i barabartë, ku Uldedaj ishte më mirë në gjuajtje në distancë ndërsa argjentinasi kishte epërsi në gjuajtjet afër. Lufta në ring ka vijuar e fortë, me agresivitet, raundi i tretë mund të ketë sjell një epërsi të lehtë për shqiptarin por sërish sfida ishte e ekuilibruar.
Raundi i katërt do të sillte “knock down-in” e parë në favor të boksierit shqiptar, por kjo nuk uli intensitetin e agresivitetit e kundërshtarit.
Raundi i pestë rezultoi po aq i fortë dhe agresiv sa të gjithë raundet e tjera dhe shenjat e lodhjes nuk u ndjen tek asnjëri nga boksierët. I gjashti ishte në favor të Leandro Arganaraz i cili nxori në pah shpirtin argjentinas të boksimit.
I shtati solli më superior 21 vjeçarin shqiptar.Raundi tjetër rezultoi një luftë e ekuilibruar, por Uldedaj pati një rritje të intensitetit të gjuajtjeve. Ndeshja ishte e fortë, vijoi e tillë edhe në raundin e parafundit, duhet rikujtuar se asnjë nga dy boksierët nuk kishte marrë asnjë humbje deri tani.
Raundi i fundit ishte raundi vendimtar që i dhuroi titullin kampion botë për të rinj boksierit shqiptar Jurgen Uldedaj, pasi fitoi me pikë 98-91 ndaj rivalit Nicolas Arganaraz.