JUVENTUSM FITON SUPERKUPËN E ITALISË PËRBALLË LAZIO Pirlo, Tevez dhe Vidal nuk janë më, por duket se këto largime nuk do të jenë një problem për kampionët e Italisë, të cilët kanë fituar sot trofeun e parë të sezonit. Në Shanghai, bardhezinjtë janë përballur me Lazion për Superkupën e Italisë dhe ndryshe nga sa ka ndodhur në Superkupën e kaluar, me Napolin që ka buzëqeshur në fund pas gjuajtjeve të penalltive, këtë herë ka qenë “Zonja” që ka ngritur trofeun. Protagonistët e takimit kanë qenë dy blerjet e reja të Juves,
Madzukic dhe Dybala, të cilët janë marrë pikërisht për të mbushur boshllëqet e lëna nga largimet e rëndësishme të lartpërmendura. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0 me një ritëm të ulët dhe pa shumë emocione të krijuara nga të dy formacionet. Në të dytën ka qenë Mandzukic i cili ka zhbllokuar takimin në minutën e 69-të me një goditje me kokë pas një krosimi perfekt nga ana e Sturaros. Tetë minuta më pas ka ardhur edhe goli që ka mbyllur ndeshjen dhe është realizuar nga 21-vjeçari Dybala, që ka dërguar topin në rrjetë me një goditje të fortë me të majtën pas një asisti nga francezi Pogba. Kështu, Juventusi ka larguar dyshimet e krijuara nga paraqitjet zhgënjyese të bëra në fazën përgatitore dhe e ka nisur sezonin e ri aty ku e ka lënë të vjetrin, duke fituar Superkuën e shtatë historinë e vet.
Në fund, Lazio ka regjistruar humbjen e pestë në po kaq ndeshje të luajtura deri tani edhe pse katër prej tyre kanë qenë miqësore. Një shenjë aspak e mirë për bardhekaltrit që më 18 gusht do të zhvillojnë ndeshjen e parë kundër Leverkusen në turin playoff të Champions League.