“Kujdes rrezik vdekje” pikërisht këto janë disa nga paralajmërimet që u bëhen qytetarëve në kabinat elektrike të çdo lagjeje në vendin tonë…. Por janë të mjaftueshme këto shkrime paralajmëruese për qytetarët kur kabinat elektrike jo vetëm që nuk kanë siguri por as të mbyllura në mënyrën e duhur nuk janë. E në këtë rast më të rrezikuarit janë fëmijët në çdo lagje ku me kuriozitetin e tyre të moshës mund tu rezultojë fatale për jetën e tyre.
Me një situatë të tillë përballen prej shumë vitesh banorët në rrugën “Arkitekt Sinani” e njohur ndryshe edhe si “Baja e vogël”. Kabina elektrike e kësaj lagjeje është me dyer të hapura e çdo kush mund të hyjë brënda kur të dojë. Duhet të rikujtojmë vetëm pak vite më parë po në këtë kabinë elektrike humbi jetën një endacak. Kjo e shton edhe më shumë frikën e banorëve që të lejojnë fëmijët e tyre të luajnë në lagje.
Por problematikat në rrugën “Arkitet Sinani” nuk mbarojnë këtu pasi edhe mbeturinat janë një tjetër shqetësim. Gjenden fare pranë kabinës elektrike ku përveç papastërtisë e pamjes së shëmtuar është edhe mos pastrimi I tyre që në këtë lagje sjell aromë të rëndë. Në një situatë të tillë përballen jo pak lagje në Shkodër ku mungesat janë të mëdha si nga siguria dhe nga pastërtia. Kur do të marrin zgjidhje këto gjëra sa elementare por edhe jetësore për qytetarët shkodran kjo nuk dihet…