Mbi 100 fëmijë që mësojnë çdo ditë në këto dy shkolla të fshatit Oblikë, përballen me rrezikun e vazhdueshëm të rrymës elektrike në kabinën e hapur të fshatit.
Situata vijon të mbetet e njëjtë prej kohësh, ndërsa institucioni përgjegjës nuk është kujdesur për bllokimin e kësaj hapësire. Të vetmit që kanë vendosur një barrierë janë banorët e zonës, të cilët shpjegojnë jashtë kamerave se ky objekt nuk plotëson asnjë lloj standardi përsa i përket sigurisë së banorëve. Sipas tyre, fëmijët rrezikohen, pasi vetëm pak metra larg këtij objekti luajnë çdo ditë. Deri tashmë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është mjaftuar me ndërhyrjet për rritjen e cilësisë së shërbimeve, ndërsa për sigurinë e shumë banorëve aty pranë, duket sikur nuk i intereson askujt.