Bashkia Shkodër nuk do të lejojë më kabllot e internetit pa lejen përkatëse dhe aty ekzistuese që janë jashtë funksionit. Përmes një shkrese bashkia ka njoftuar 26 subjektet që ofrojnë shërbim internet që brenda datës 15 gusht të këtij viti të marrin masat e duhura për sistemin e kabllove të internetit kudo në qytet sepse në të kundërt do të merren masat sipas ligjit duke gjobitur këto kompani. Në shkresën dërguar 26 operatorëve thuhet…
“Në vijim të njoftimit të datës 13.03.2024, Bashkia Shkodër në ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave në zbatim të ligjeve në fuqi si dhe akteve nënligjore të dala në bazë dhe zbatim të tyre, referuar problematikave të hasura me rrjetet kabllore ajrore ekzistuese, me qëllim minimizimin negative pamor, garantimin e sigurisë publike, të mos cënimit të lëvizjes së ambulancave e zjarrëfikësve dhe jo vetëm, ka nisur procesin e sistemimit të rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese. Për zhvillimin e këtij procesi kërkojmë bashkëpunimin tuaj për heqjen e rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese, për të cilat nuk janë pajisur me leje/autorizim nga Bashkia Shkodër si dhe të rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese, jo funksionale.
Gjithashtu, në kutitë e shpërndarjes të rrjeteve të komunikimeve elektronike, aty ku mungojnë, të vendosen shenjat për identifikimin e operatorëve. Sa më sipër ju njoftojmë se është e nevojshme që ky proces të realizohet nga ana juaj brenda datës 15.08.2024. Nëse brenda këtij afati nuk realizohet heqja vullnetare e rrjeteve kabllore ajrore ekzistuese për të cilat nuk janë të pajisur me leje/autorizim nga bashkia Shkodër ose sistemimi i atyre linjave me lejet/autorizimiet përkatëse. Bashkia Shkodër do të ndërhyjë për heqjen e tyre mbi garantimin e sigurisë publike”, përfundon shkresa zyrtare dërguar kompanive të internetit nga ana e bashkisë Shkodër.
Ndërkohë një reagim lidhur me këtë problem bëri edhe kryebashkiaku Benet Beci duke paralajmëruar kompanitë e internetit lidhur me kabllot në qytet teksa shkruan:
“Kabllot e internetit të varuara kudo nëpër Shkodër janë një problem jo vetëm estetik, por dhe i rrezikshëm për banorët. Prej disa ditësh, Bashkia Shkodër dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimi, kanë nisur sistemimin e kabllove pranë pallateve, që i janë nënshtruar proçesit të restaurimit të fasadave. Nga ana e bashkisë i është kërkuar të gjithë subjekteve që ofrojnë shërbim interneti, saktësisht 26 të tillave, që të bëjnë vetë brenda datës 15/08/2024, heqjen e linjave kabllore ajrore për të cilat nuk janë paisur me lejen përkatëse, si edhe atyre ekzistuese jashtë funksionit. Fatkeqësisht raste të tilla abuzimi nuk janë të pakta e në çdo rast shkeljeje, Bashkia do të ndërhyjë duke shkëputur linjat e duke ndëshkuar me forcën që jep ligji”, përfundoi Beci reagimin e tij.