Kabllot e energjisë elektrike si dhe ato te telefonisë vijojnë të jenë një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Shkodrës.
Në shumë lagje të qytetit, në zona të frekuentura por edhe pjesë të tjera janë të pranishëm kabllot, një rrezik serioz për kalimtarët e rastit por pse jo edhe për mjetet motorike që lëvizin në këto pjesë të qytetit. Rrjeti aktual në rrugët e qytetit të Shkodrës është alarmant sepse kabllot në një moment nëse shkëputen, nuk kanë asnjë lloj sigurie dhe mund të shkaktojnë dëme tek ata të cilët qarkullojnë në keto zona. Një situatë e tillë është krijuar prej kohësh tashmë në rrugën që të çon tek kisha ortodokse por edhe lulishtja pas tregut valutor. Ndonëse në një gjatësi jo edhe aq të madhe, ai aks rrugor duke qenë se ndodhet në qendër, është mjaft i frekuentuar. Aty lëvizja e këmbësorëve por edhe parkimi i mjeteve motorike është i madh aq më tepër në këtë sezon turistik ku lëvizjet janë thuajse të dyfishuara. Kabllot të lakuara në shumë pjesë dhe në një moment fare thjesht mund të shkëputen nga shtyllat për të përfunduar në tokë apo në trupin e ndonjë kalimtari. Ky problem është ngritur disa herë por deri tani situata vijon e njëjtë dhe askush nuk ka marrë asnjë masë për normalizimin e situatës për të krijuar sigurinë tek kalimtarët e shumtë. Shpesh herë vetë qytetarët janë shprehur të revoltuar në lidhje me këtë gjëndje të krijuar nga rrezikshmëria e kabllove por sërish asgjë nuk ka ndryshuar nga drejtuesit e institucioneve përkatëse duke bërë që gjendja të mbetet e njëjtë.