Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka lajmëruar se janë 74 vende të lira puna që pritet të mbushen me specialistë e inxhinierë. Ka qenë Drejtori i përgjithshëm i kadastrës Artan Lame i cili me anë të një deklarate për mediat ka bërë thirrje të gjithë inxhinierëve që të aplikojnë për të konkurruar për pozicionet e punës të hapura në Kadastër.
Lame ndër të tjera ka bërë edhe një thirrje njerëzore dhe personale duke kërkuar nga njerëzit e familjes apo ata që e njohin nga afër që të mos i kërkojnë favore për të hyrë në punë apo të bëjnë ndërhyrje që të favorizojnë persona të caktuar.
Sipas Lames në Kadastër duhet të rritet ndjeshëm profesionalizmi në fushat e caktuar. Vendet e punës konkretisht janë hapur për profesionet si Inxhinier ndërtimi; Arkitekturë; Urbanistikë; Gjeoinformatikë; Gjeodezi dhe Topografi.
Lame ka thënë se sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi. E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë.
LEXO EDHE:
Sherr me thika mes disa personave në Vlorë, një i plagosur (Detajet)
Deklarata e plotë e Artan Lames:
Agjensia Shteterore e Kadastrës ka përmbyllur fazën e riorganizimit të saj dhe me kënaqësi ju bëj me dije se ky proces prodhoi një strukturë të re tërësisht të riorganizuar dhe eficente.
Por mbyllja e një procesi, hap menjëherë dyert për sfidën e rradhës.
Sfidat kryesore të Kadastrës sot janë dy: E para, avancimi i rishikimit hartografik të gjithë problematikave në rang vendi.
E dyta, ngritja e nivelit profesional të punonjësve tanë. Në këtë pikë mjafton të them se sot agjensia ka rreth 400 juristë të të gjitha shkollimeve, që nga ata me shkolla të mbaruara jashtë, e deri te ata me pasqyra e xhamlleqe. Dhe, me gjithe këta juristë, i vetmi rezultat ka qenë hapja e mijëra gjyqeve për çështje pronësie, me pasojat e trishta që i dimë të gjithë.
Po ka edhe më keq se juristët, pasi gjenden pa fund ekonomistë e biologë, historianë, sociologë, psikologë, e ku di unë çfarë tjetër, duke lënë në minorancë profesionet bazë të Kadastrës.
Nuk po i hyj këtu analizës se si është arritur ky deformim 20 vjeçar por, me keqardhje për fatin personal të secilit, deklaroj se reforma për rritjen e profesionalizmit do të vijojë.
Rishikimi hartografik e bën të domosdoshme thithjen e fluksit të inxhinierëve. Dhe pikërisht për këtë, në vendet që lirohen, duam të hapim garën për thithjen e profesionistëve të fushës.
Pra sot unë po lajmëroj hapien e garës për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e AKSH me profesione:
-Inxhinier ndërtimi;
-Arkitekturë;
-Urbanistikë;
-Gjeoinformatikë;
-Gjeodezi;
-Topografi.
Saktësoj, jo punonjës me kontratë, por punonjës në strukturë.
Në veçanti, dua t’i bëj një thirje dy kategorive. Në rradhë të parë, djemve e vajzave që kanë vullnet për punë, të vijnë dhe të konkurojnë dhe të kenë besim tek unë dhe tek forcat e tyre.
Nga ana tjetër, ju lutem të gjithë miqve, të njohurve, të afërmve përfshirë gruan dhe prindërit e mij, kushërinjve, deputetëve e ish-deputetëve, ministrave e ish-ministrave, të majtë e të djathtë e të qendrës, ju lutem mos më ndërhyni për punësime. Shteti shqiptar, kadastra shqiptare dhe unë duam profesionistë, jo miq.
Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre.
Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për cfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit.
O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot!
Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara.
Ju faleminderit.
NR ASHK VENDE VAKANTE
1
DREJTORIA BERAT
1
2
ZYRA DEVOLL
2
3
DREJTORIA ELBASAN
2
4
DREJTORIA FIER
5
5
DREJTORIA GJIROKASTER
6
6
ZYRA HIMARE
2
7
DREJTORIA KAVAJE
2
8
DREJTORIA KRUJE
7
9
ZYRA KOLONJE
1
10
DREJTORIA KUKES
3
11
DREJTORIA LEZHE
6
12
DREJTORIA LUSHNJE
1
13
ZYRA MALESI E MADHE
1
14
DREJTORIA POGRADEC
6
15
DREJTORIA SARANDE
2
16
DREJTORIA SHKODER
3
17
DREJTORIA TEPELENE
2
18
DREJTORITE TIRANE
13
19
DREJTORIA VLORE
9
Gjithsej:
74