Drejtoria Rajonale e Kulturës në Shkodër përmes faqes zyrtare në rrjetin social facebook ka reaguar pas protestës së bërë nga banorët e fshatit Kratul në Postribë. Në faqen e facebook të DRKK janë disa fotografi ku ndodhet drejtorja rajonale e kulturës Majlinda Laçaj e cila shihet duke parë nga afër kalanë e Kratulit dhe të gjithë zonën arkeologjike. DRKK përmes reagimit në facebook thotë nuk është aspak e vërtetë se firma italiane “Il Progetto” po shkatërron fortifikimin e Kratulit.
“DRKK Shkodër sqaron opinionin publik, pas publikimeve të bëra në media, mbi shkatërrimin e Fortifikimit të Kratulit, nga firma “IL PROGETTO” sh.p.k. gjë që nuk është aspak e vërtetë, pasi DRKK Shkodër inspektoi gjendjen në sitin arkeologjik dhe deklaron me përgjegjësi të plote se nuk ka asnjë cënim të këtij fortifikimi dhe zonës së tij të mbrojtur”-shkruan drejtoria rajonale e kulturës në faqen e saj në facebook. Më tej DRKK bën të ditur se cilat janë shqetësimet reale të banorëve të Kratulit duke mohuar se ka lidhje me fortifikimin. Mendohet të jetë me një vjetërsi rreth 2700 vjeçare dhe se aty ka gjurmë të ilirëve të cilat janë mjaft të rëndësishme dhe provojnë identiten kombëtar dhe të qënit autokton. “Shqetësimet e vërteta të banorëve janë: moskalimi i makinerive me tonazh të rëndë afër shtëpive të tyre, ndotja akustike dhe mjedisore e territorit përreth, problematikë që është jashtë juridiksionit dhe punës së DRKK Shkodër”-vijon reagimi. Më tej drejtoria e kulturës bën të ditur se jo vetëm nuk cënohet pjesa arkeologjike por thekson faktin se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë sepse fortifikimi i Kratulit është e shpallur zonë e mbrojtur. “Firma italiane nuk cënon sitin arkeologjik dhe zonën e tij të mbrojtur e cila është shpallur me vendimin numër 237 dt.23/06/2015 nga Ministria e Kulturës. Sqarojmë se investimi nga firma “Il Progetto”, është larg sitit arkeologjik dhe larg zonës së mbrojtur”-përfundon reagimin e saj drjetoria rajonale e kulturës për kalanë e Kratulit.