Korrupsioni me tenderat – Kallëzohet kryebashkiakja e Sarandës, dëme 129.4 milionë lekë

Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, ish-drejtori i Shërbimeve Publike, tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Oferta (KVO) si dhe dy mbikëqyrës punimesh janë kallëzuar penalisht në Prokurori për shkak se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 129.4 milionë lekësh. Kallëzimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka konstatuar një sërë shkeljesh, midis të cilave është edhe pagesa fiktive prej 64.4 milion lekë për punë të pa kryera. Në përfundim të auditit të kryer, KLSH-ka i ka rekomanduar Bashkisë së Sarandës masa me karakter organizativ në lidhje me eleminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhet në vlerën 481 milion lekë dhe masa për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar në vlerën totale 129.4 milion lekë. Më konkretisht, KLSH sqaron: znj. F. K. me detyrë Kryetare e Bashkisë Sarandë, në cilësinë e Titullarit të Autoritetit Kontraktor, për pagesa dhe investime të pakryera por të situacionuara dhe likuiduara në vlerën 64.4 milion lekë (punime fiktive). Investimet e përmendura i takojnë 2 objekteve të prokurimit: – “Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”, për vlerën 34.4 milion lekë, të likuiduar vetëm 1 ditë pas lidhjes së kontratës. – “Përmirësimi i rrjetit të ujërave të zeza, zona nga Hotel Butrinti deri tek Kanali i Çukës”, vlerën 30 milion lekë, likuiduar vetëm 5 ditë pas lidhjes së kontratës. z. P. H. me detyrë ish-Drejtor i Shërbimeve Publike të Bashkisë Sarandë, për marrjen në dorëzim dhe situacionimin për punime të pakryera, me efekt në cilësinë e realizimit të investimit dhe dëm ekonomik në vlerën 50.5 milion lekë. Investimet e përmendura i takojnë objekteve të prokurimit: – “Ndërtim asfaltim rr. R .5, Loti II dhe III”, – “Përmirësimi i rrjetit të ujerave të zeza Hotel “Butrinti” deri te Kanali i Çukës”. Për konfirmimin e pagesave për investime të pakryera por të situacionuara dhe likuiduara në vlerën 64.4 milion lekë (punime fiktive), për investimet: –“Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”, -“Përmirësimi i rrjetit të ujërave të zeza, zona nga Hotel Butrinti deri tek Kanali i Çukës”. z. E. Gj. me detyrë Drejtor Juridik, në cilësinë e Kryetarit të KVO, z. P. H. me detyrë ish-Drejtor i Shërbimeve Publike, në cilësinë e anëtarit të KVO, zj. T. S. me detyrë Drejtore Ekonomike, në cilësinë e anëtarit të KVO. Në 3 procedura të prokurimit publik KVO ka shpallur fitues Operatoret Ekonomikë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e veçanta për kualifikim të miratuara në DST, veprime në kundërshtim me nenet 1, 2, 24, 53 dhe 55 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” dhe shkelje të parimit të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, duke sjellë një impakt negativ në buxhetin e shtetit për vlerën 481 milion lekë dhe favorizim të operatorëve ekonomikë (OE) të cilët nuk garantojnë cilësinë e investimit të prokuruar. Praktikat e përmendura i takojnë 3 objekteve të prokurimit: – “Përmirësimi i rrjetit të ujerave të zeza Hotel “Butrinti” deri te Kanali i Cukës”, me vlerë kontrate prej 120,145,961 lekë, – “EKO Kampus Saranda”, me vlerë kontrate prej 275,481,211 lekë, – “Rikonceptim dhe rivitalizim i qendrës së qytetit Sarandë, Rruga e Flamurit”, me vlerë 85,432,057 lekë. z. K.K. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve dhe kolaudatorit për investime jo në përputhje me kriteret e kontraktuara dhe dëm ekonomik në vlerën prej 77.5 milion lekë, për shkak të punime të pakryera por të situacionuara dhe likuidura, si dhe mos-llogaritjen e penaliteteve për vonesa në kryerjen e punimeve, për investimet: “Ndërtim asfaltim rr. R .5,Loti II dhe III”, “Përmirësimi i rrjetit të ujerave të zeza Hotel “Butrinti” deri te Kanali i Çukës”, “Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”. Për miratimin e pagesave për punime të pakryera por të situacionuara (pune fiktive), për vlerën 30 milion lekë, vetëm 5 ditë pas lidhjes së kontratës për objektin: “Përmirësimi i rrjetit të ujërave të zeza, zona nga Hotel Butrinti deri tek Kanali i Çukës”. z. A.T. nën cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, për investim jo në përputhje me kriteret e kontraktuara dhe dëmin ekonomik në vlerën prej 27 milion lekë, për shkak të punime të pakryera por të situacionuara dhe paguara, për investimin “Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”. Për miratimin e pagesave për punime të pakryera por të situacionuara (pune fiktive), për vlerën 34.4 milion lekë, vetëm 1 ditë pas lidhjes së kontratës, për objektin:“Zëvendësimi i tubacionit të ujësjellësit nga stacioni i pompimit Vrion deri në rezervuarin e qytetit”. KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga F.K. në cilësinë e Titullarit të Institucionit, P.H. në cilësinë e Drejtorit të Shërbimeve Publike dhe anëtarit të KVO, E.GJ. në cilësinë e Kryetarit të KVO dhe T.S. në cilësinë e anëtarëve të KVO, në kundërshtim ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, si dhe K.K. në cilësinë e Mbikëqyrësit dhe Kolaudatorit të punimeve dhe A.T. në cilësinë e Mbikëqyrësit të Punimeve, në kundërshtim ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimit” dhe UKM nr. 1, datë 16.06.2011 “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i RSH”, me shkresën nr. 1236/17 datë 28.04.2017, KLSH ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga nenet 258 dhe 248, të Kodit Penal.

Artikulli paraprakTRAFIKU I 12 KG KOKAINË TË PASTËR NGA HOLANDA NË BARI, ARRESTOHET SHQIPTARI
Artikulli tjetërBIBA LETËR LLALLËS: PD DO TË BLLOKOJË ZGJEDHJET NË KAVAJË