Pak muaj pasi kaloi vettingun, por u pezullua për 1 vit nga detyra për mungesë profesionalizmi, drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Shkodër Elvin Gokaj do të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Ankimimit.
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Elvin Gokaj, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Apelit, Shkodër.
Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, subjekti i rivlerësimit rezulton me mangësi dhe mospërputhje të kërkesave të parashikuara në aneksin e Kushtetutës dhe në legjislacionin e posaçëm, për kriteret e procesit të rivlerësimit.
Në këto rrethana, Komisioneri Publik, bazuar në kërkesat e neneve Ç, D, DH dhe F, të aneksit të Kushtetutës, nenit 4 dhe nenit 61, pikat 3 dhe 5, të ligjit nr. 84/2016, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim shkaqet e këtij ankimi dhe, në përfundim të procesit, të vendosë shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Elvin Gokaj.
Më 24 korrik Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi të kthejë sërish në shkollë Prokurorin Gokaj.
Vendimi u mor për mungesë të theksuar profesionalizmi. Gokaj rezultoi korrekt dy kriteret e tjera atë të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, por çka e penalizoi ishte profesionalizmi i tij.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori vendim me shumicë votash që prokurori Elvin Gokaj të ndiqte sërish Shkollën e Magjistraturës. KPK vendosi të pezullonte për 1 vit prokurorin derisa ai të përfundonte studimet për të plotësuar kështu kriterin e profesionalizmit.