Një baba dhe vajza e tij janë dënuar me burg, pasi tentuan të trafikonin 9 persona, 8 prej të cilëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar me një furgon kampingu.
Baden Williams, 47-vjeç dhe vajza e tij Latasha Perry, 27 vjeçe u shpallën fajtorë për krijimin e kushteve për emigracion të jashtëligjshëm nga gjykata e Canterbury në Britani, më 8 Qershor. Williams u dënua me 5 vjet dhe 6 muaj burg, ndërsa vajza e tij u dënua me 4 vjet heqje lirie.
Të dy u ndaluan më 1 Maj të vitit të shkuar nga oficerët e kufirit në një zonë kontrolli në Coquelles të Francës, përpara se të futeshin në Tunel.
Williams ishte në timon, ndërsa Perry qëndronte e ulur në anën e pasagjerit. Ata pretenduan se po riktheheshin nga një fundjavë e gjatë, të cilën e kishin kaluar në veri të Francës.
Por kur oficerët kontrolluan furgonin, ata zbuluan 9 persona, 8 shqiptarë (7 burra dhe një grua), si dhe një turk. 4 ishin fshehur në zonën ku flihet, direkt mbi kabinën e shoferit, ndërsa 5 të tjerët ishin futur në një dollap magazinimi në fund të furgonit
. Babë e bijë fillimisht thanë se nuk ishin në dijeni që po transportonin emigrantë, megjithatë hetimet zbuluan se dyshja ishte përfshirë në trafikun e jashtëligjshëm dhe pas 1 viti u dënuan për krimin e kryer.