Presidenti, Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i cili arriti të siguronte sërish një mandat si ligjvënës pas zgjedhjeve parlamentare. Begaj i uroi Kamberit suksese për rizgjedhjen në Parlament si përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Uroj që roli dhe kontributi juaj të vijojë t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për adresimin e të drejtave të tyre legjitime. Mbështetja e Shqipërisë nuk do të mungojë!” – i është shprehur Begaj gjatë telefonatës me Kamberin.
Në këto zgjedhje parlamentare në Serbi që u mbajtën ditën e djeshme (17 dhjetor), shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garuan me dy lista. Mandatin e deputetit ka arritur që ta ruajë edhe shqiptari, Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar” e Shqipërim Arifit nuk ka deputet. Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë mandate, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tre mandate dhe një mandat e ka fituar Partia Ruse.