Njëzet qytete të vendit do të pajisen me një sistem kamerash inteligjente me qëllim rritjen e sigurisë në komunitet, mbrojtjen e jetës e pronës private si dhe monitorimin e trafikut rrugor. Në disa qytete ka nisur zbatimi i këtij projekti të quajtur “Smart City” ndërsa kamerat mendohen që të jenë funksionale 24 orë. Pjesë e 20 qyteteve që do të vendosen këto kamera është edhe Shkodra. Ndërkohë mendohet se vendet ku do instalohen në secilin qytet janë qendrat kryesore dhe ato zona që aktualisht janë të pambuluara nga kamerat e bashkisë ose nuk kanë cilësinë e duhur apo ku mund të ketë patur dëmtime. Ndërkohë ajo që nevojitet në këtë proces që ka nisur në gjithë vendin është që këto kamera sigurie me rezolucion të lartë është e domosdoshme që ndër të tjera të instalohen edhe në rrugët kryesore në plazhin e Velipojës. Gjatë sezonit të verës në të cilin ndodhemi aktualisht, Velipoja mendohet se është një prej plazheve që ka numrin më të lartë të pushuesve në vend. Janë mbi 100 mijë pushues vendas e të huaj që zakonisht zgjedhin Velipojën gjatë verës. Për shkak të këtij fluksi të lartë vizitorësh është me rëndësi të madhe që këto kamera në qytetet që ka përzgjedhur Ministria e Brendshme, sa i përket Shkodrës të përfshijë edhe plazhin e Velipojës. Në këtë plazh ku qetësia, pastërtia e ujit dhe ajrit, hapësirat e bollshme që ofron bashkë me bukuritë natyrore është e nevojshme që t’i shtohet edhe një monitorim 24 orësh me kamera sigurie për ta patur nën kontroll gjithë atë territor me fluks të lartë pushuesish gjatë verës. Përmes këtyre pajisjeve me rezolucion të lartë monitorohet situata në terren, lëvizja e çdo automjeti si dhe identifikohen targat e makinave të shpallura ‘alert’. Kamerat inteligjente me rezolucion të lartë funksionojnë edhe në audio dhe mundësojnë pamje të qarta edhe për persona të dyshuar që lëvizin në këmbë apo me automjet. Qytetet e përcaktuara për të qenë pjesë e projektit “Smart City” janë përzgjedhur nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit bazuar në nivelin e kriminalitetit që ato kanë. Projekti për monitorimin me kamera inteligjente të 20 qyteteve do të kushtojë në total 60 milionë Euro, ku një pjesë e konsiderueshme e vlerës do të mundësohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

https://youtu.be/NvIhe9bC_5s

Artikulli paraprak“SHKODRA JAZZ” NIS ME “RROK ACADEMY”
Artikulli tjetërINCIDENTI NË NDESHJEN VLLAZNIA-TIRANA, KATËR PERSONA PËRFUNDOJNË NË PRANGA, PROCEDOHET EDHE NJË 30-VJEÇAR