Boksieri i talentuar, Kristian Jubani, i cili është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë në kampionatin europian të boksit për moshat U-16, është shumë pranë hyrjes në zonën e medaljeve. Në kampionatin që po zhvillohet në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës, 15-vjeçari shkodran, nën drejtimin e trajnerit të Kombëtares, Klaodio Çekini, kaloi me sukses ndeshjen e turit të parë, duke mposhtur thellësisht 5-0 rivalin e peshës së tij 48-kg, Riad Isufi nga Kosova. Kjo fitore e kualifikoi Jubanin në turin tjetër, duke vazhduar me synimin e qartë dhe të vetëm, fitimin e titullit kampion Europe. 15-vjeçari shkodran konsiderohet si një nga boksierët më të spikatur të brezit të ri, jo vetëm për ngjyrat kuqezi, por edhe në rang ndërkombëtar.

Sezonin e kaluar, Jubani u shpall nën/kampion i Europës, duke marrë vlerësime pozitive nga ana e specialistëve të boksit. Ndërkohë që, në kampionatin shqiptar, për ekipin e boksit të Tërbunit, Jubani është shpallur kampion në peshën 46-kg, teksa tashmë ai ka një synim të qartë, që të arrijë të fitojë titullin kampion Europe. Për të shkuar deri atje, Kristian Jubanit i duhet të kalojë me sukses ballafaqimin e rradhës me boksierin e Serbisë, Filip Stanoeviç, teksa nëse shkodrani arrin ta fitojë këtë ndeshje, futet automatikisht në zonën e medaljeve.

Artikulli paraprakBANORËT: JETOJMË MES GROPAVE DHE BALTËS PREJ 30 VITESH
Artikulli tjetërREKTORI I RI GJURAJ: S’KA KOHË PËR FESTË, VETËM PUNË