Dy studente të fakultetit të drejtësisë u shpallën fituese të kampionatit të debatit të organizuar me pjesëmarrjen e 8 skuadrave me nga dy anëtarë nga degë të ndryshme të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Në finale u përballën dy grupet përfaqësuese në të njëjtin fakultet, ndërsa juria shpalli fituese grupin e vajzave Vilma Çardaku dhe Besjola Braçi. Studentët pjesëmarrës konkurruan për 8 tema të përzgjedhura me qëllim promovimin dhe nxitjen e ideve dhe debatit konstruktiv ndërmjet tyre.
Pjesë e jurisë vlerësuese ishte edhe filozofi i njohur Elvis Hoxha, i cili tha se debatet dhe konkurrenca e vërtetë duhet të shtrihen edhe në ambientet akademike. Për organizimin e kampionatit të debatit kujdesen një grup studentësh dhe pedagogësh të universitetit “Luigj Gurakuqi”. Këta të fundit, përpara datës finale trajnojnë studentët me qëllim aftësimin e tyre për përdorimin e teknikave dhe rritjen e cilësisë së debatit.