Kanabis nga Shqipëria në Kosovë, kapet sasi e madhe, 12 personave në pranga
Një sasi e madhe droge që kishte kaluar nga Shqipëria për në Kosovë dhe më pas për në vendet Perëndimore është kapur mbrëmjen e djeshme në zonën e Ferizajt në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur sot Policia e Kosovës. Sipas tyre, drejtoria e Ferizaj ka realizuar një operacion kundër trafikimit me substanca narkotike ku është konfiskuar një sasi prej 825 kg kanabis sativa, gjashtë makina dhe 26 celularë. Ky operacion është zhvilluar në tre faza të aksioneve policore. Në operacionin e fundit më 30 prill në fshatin Sojevë, në një shtëpi të pabanuar me 20 tavolina druri janë gjetur të fshehura 500 kilogramë kanabis. Droga ka ardhur nga Shqipëria dhe Kosova ishte vetëm një vend transit për ta dërguar lëndën narkotike drejt vendeve perëndimore. Në pranga janë vënë më shumë se 12 persona, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Njëri prej tyre është maqedonas ndërsa tjetri kosovar. Dy të dyshuarit kanë qenë të njohur për policinë për vepra penale me narkotikë. Ky operacion ka zgjatur tre muaj. Hetimet janë duke vazhduar.