Asgjësohet një sasi e konsiderueshme kanabisi në Dukagjin. Forcat RENEA kanë mundur të asgjësojnë 920 bimë kanabisi në një terren me rrezikshmëri të lartë, pasi ishin evidentuar më herët nga patrullimi nga ajri i Policisë së Shkodrës.
Bimët u gjetën të kultivuara në Luginën e Qershisë në Shosh. Forcat RENEA kanë rrezikuar jetën në një terren super të vështirë dhe është dashur ndihma e helikopterit për largimin e tyre pas operacionit. Për të ndjekur operacionin ka shkuar në Dukagjin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, Drejtori i Departamentit të Sigurisë Altin Qato dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Gjovalin Loka.
Çako ka përgëzuar dhe vlerësuar përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të policisë veçanërisht të RENEA-s, por edhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit në tërësi. Çako ka theksuar se Policia e Shtetit do ta përmbushë me sukses këtë prioritet kombëtar të qeverisë për zerimin e fenomenit kanabis këtë vit.
Operacioni masiv nga ajri, deti e toka që ka nisur prej Ditës së djeshme do të vijojë deri në rikontrollin e plotë të territorit të vendit. Në operacion janë përfshirë forcat RENEA, FNSH, Policitë Vendore, Policia Kufitare e Delta Forcë. Operacioni drejtohet dhe monitorohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako.