Kanabisi, Bujar Nishani mbledh Këshillin e Sigurisë në 11 Nëntor
Presidenti Bujar Nishani ka zyrtarizuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në datë 11 nëntor në orën 18:00 për çështjen e kanabisit. Anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë Kryeministri, Ministri i Brendshëm, i Jashtëm, i Mbrojtjes, i Financave dhe i Transporteve, kreu i SHISH, Kryeprokurori dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Presidenti Nishani deklaroi të martën se do të mblidhte Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndwrsa sot ka zyrtarizuar datwn dhe orwn e takimit. Presidenti Bujar Nishani e konsideroi dje çështjen e kanabisit si një problem serioz për vendin. “Kanabisi është një shqetësim serioz. Do thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje që ka marrë përmasa të mëdha”, u shpreh Nishani dje nga Shkodra. Sipas tij, “shërbimet inteligjente ndërkombëtare janë shqetësuar për këtë fenomen”. Por deklarata e Presidentit u kundërshtua nga Kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj “Jo” mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Rama u shpreh dje në Facebook duke ironizuar se, “duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të SHQUP-it”. Kryeministri publikoi dhe letrën e Komisionerit Europian për Punët e Brendshme, i cili vlerësonte punën e Ministrit Tahiri për punën e bërë në luftën ndaj kanabisit.