Kanabisi, policët do mbajnë përgjegjësi dhe për të afërmit
Policia e Shtetit do përshkallëzojë aksionet e saj në luftën kundër kultivuesve të narkotikëve. Ndërkohë që është lançuar një nismë e re brenda strukturave të policisë, për të shmangur çdo implikim të mundshëm të forcave të policisë në rrjetin e kultivuesve. Ka qenë ky qëndrimi i drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Edmond Tarkaj, i cili është shprehur se punonjësit e policisë do firmosin një deklaratë se familjarët dhe të afërmit e tyre nuk janë të përfshirë në kultivimin kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Në të kundërt, ata do të bëhen përgjegjës njësoj si ata që janë të përfshirë. “Gjithashtu zoti Tarkaj ka bërë prezent një sërë masash parandaluese, duke filluar nga firmosja e një deklarate nga çdo punonjës policie dhe çdo punonjës që paguhet nga buxheti i shtetit, të cilët do të deklarojnë se asnjë prej familjarëve apo rrethit familjar nuk do të kultivojnë bimë narkotike. Çdo blegtor apo fermer që do të marrë me qira apo në përdorim toka bujqësore, sipërfaqe kullosore dhe pyjore, do të jetë personi përgjegjës, që në territorin që ka në administrim në rast se do te evidentohet kultivim i bimëve narkotike apo zjarrvënie e qëllimshme, këta blegtor apo fermer do të procedohen penalisht sipas ligjit, pavarësisht se janë apo jo autor të veprës penale”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Dibrës. Gjatë javëve të fundit në të gjithë territorin e qarkut janë zhvilluar 171 kontrolle nga ajri e nga toka, nga këto 89 magazina, ish rezerva shtetërore, bunker dhe tunele, 36 shtëpi të pabanuara, ku në njërën prej tyre u sekuestrua lëndë narkotike e prodhuar më parë, si dhe 46 sera, ku në të gjitha kontrollet deri tani nuk është konstatuar asnjë farishte apo fidanë në kubikë të kultivuar.