Kryeministri Edi Rama përsëriti nga Velipoja angazhimin për ti dhënë fund kanabisit brenda këtij viti. Gjatë një mëngjesi pune me gazetarët, Rama tha se tashmë territori është i pastër, ndërsa beteja që po zhvillohet kundër trafikimit të lëndës narkotike dhe trafikantët do të shënojë sukses.

Rama: Jemi në një fazë përmbyllëse të kësaj beteje dhe ne faktikisht e kemi fituar këtë betejë, të dhënat janë kokëforta dhe propaganda është propagandë. Dhe përpjekja që bëhet për ta shpërndarë gjithandej këtë lloj propagande është përpjekje pak e turpshme. Sot jemi në kushtet që siç e konfirmojnë partnerët tanë territori është krejtësisht e pastruar nga kjo mortje. Të gjitha këto që ndodhin në pikëpamje të transportit dhe luftës që zhvillohet për të penguar trafikuesit është një inerci që do vazhdojë dhe për një kohë të shkurtër dhe do të minimizohet dhe kjo. Kjo është një histori që nuk do të përbëjë më asnjë lajm dhe asnjë aktualitet.

Një koment kryeministri e pati edhe për deklaratën e Ambasadores së BE, Romana Vlahutin, e cila e cilësoi luftën ndaj kanabisit si një nga kushtet për hapjen e negociatave.

 Rama: Ka thënë thjesht që kjo temë është një temë e rëndësishme që do të konsiderohet patjetër edhe në momentin kur do të vazhdojë procesi për hapjen e negociatave. Nuk është çështje kushti por konstatime që lidhen me gjendjen e vendit. Unë nuk e shoh atë që tha Ambasadorja asht siç e kanë komentuar por thjesht si një vendosje të një çështje në qendër të vëmendjes duke pasur parasysh që edhe KE dhe BE janë të mirëinformuar në kohë reale që progresi i bërë në këtë aspekt është i jashtëzakonshëm dhe që ky vit e mbyll këtë film. Kush ka hyrë në këtë rol për të luajtur në këtë film duhet të gjejë rol tjetër pasi ky film mbaron këtë vit.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË NË FUSHË- KRUJË, HUMBIN JETËN DY TË RINJ
Artikulli tjetërSOT KONSTITUIMI I PARLAMENTIT TË KOSOVËS