Ministri i Shtetit për Diasporën zhvilloi një takim të rëndësishëm me Ministrin për Refugjatët, Migracionin dhe Shtetësinë në Kanada, Ahmed Hussen. Dy zyrtarët diskutuan lidhur me marrëveshjen për pensionet, një çështje me shumë interes për shqiptarët në Kanada.

Gjatë bisedës u tha se draft marrëveshja është finalizuar dhe të dyja palët janë gati ta firmosin. Lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve ishte një tjetër temë e rëndësishme e prekur në takim.

Hussen informoi Majko se Kanadaja po ndërmerr një reformë për të mundësuar lehtësimin e lëvizjes, veçanërisht për studiuesit, studentët dhe sipërmarrësit që kanë lidhje biznesi në Kanada.

Ministrat diskutuan edhe për çështje të tjera që shqetësojnë komunitetin shqiptar në Kanada, me Hussen që shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare. Majko e ftoi zyrtarin e lartë kanadez të marrë pjesë në samitin e dytë të diasporës që do të zhvillohet në Tiranë.

Më herët Majko vizitoi shkollën shqipe në Ottawa ku që nga viti 2000 gjuha shqipe është përfshirë në programin mësimor si gjuhë e tretë, pas anglishtes dhe frëngjishtes.

“Foluni fëmijëve në gjuhën amtare. Vetëm kështu do të mund ta përcjellim identitetin shqiptar nëpër breza”.

Me këtë mesazh iu drejtua Ministri mësueseve dhe prindërve. Mësimi i shqipes zhvillohet ditën e shtunë dhe Majko vlerësoi sakrificat dhe punën e mësueseve e prindërve për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare tek brezat e rinj.

Artikulli paraprakTRE AUTOMJETE PËRFSHIHEN NË AKSIDENT NË RINAS
Artikulli tjetërBASHA: TEATRI I RI BARBARI, BLLOK KRIMINAL BETONI I RAMËS