Pavarësisht nismave të Bashkisë Shkodër, kanalet e kullimit në Njësinë Administrative Rrethina vijojnë të mbeten të bllokuara si pasojë e mospastrimit.
Situata shfaqet më problematike në fshatin Golem me rreth 4000 banorë, ku këta të fundit thonë se prej 2 dekadash nuk është bërë asnjë pastrim. Shqetëqsim tjetër i banorëve të zonës janë mbetjet urbane, të cilat pavarësisht deklaratave të kryebashkiakes dhe administratorit për zgjidhje të situatës, frikësojnë banorët për përhapjen e epidemive.
Ndërkohë që në disa njësi të Bashkisë Shkodër, kryesisht njësinë Gur i Zi dhe Njësinë Ana e Malit ka patur ndërhyrje për pastrimin e kanaleve të kullimit, Njësia Administrative Rrethinat nuk ka përfituar nga një ndërhyrje e tillë. Sa i përket mbetjeve, askush nuk di të thotë kur do të marrë zgjidhje problemi, edhe pse gjatë gjithë muajit që po lëmë pas është deklaruar se do të fillojë shpërndarja e koshave në zonë dhe mbulimi i territorit me shërbimin e pastrimit.