Mbas 30 vitesh, 11 mijë hektarëve tokë bujqësore në fshatrat e Lezhës dhe Vaut të Dejës në Shkodër ju rikthehet kullimi.
Dhera, ferra dhe inerte e kishin nxjerrë plotësisht jashtë funksionit kanalin kullues në segmentin Gjadër-Mjedë. Edhe reshje shiu jo të forta mund të përmbytnin tokat bujqësore duke u shkaktuar dëme serioze fermerëve. Në fshatin Kukel, Kryeministri Rama inspektoi punimet për rehabilitimin e sistemit të kullimit në këtë segment, i financuar nga programi për rehabilitimin e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese në fshat. Rikthimi i sistemit të ujitjes dhe kullimit, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, është ndër projektet më madhore për bujqësinë dhe fshatin. Ai garanton nxjerrjen e mijërave hektarë tokë bujqësore nga harta e përmbytjeve, si dhe vendosjen e mijëra hektarëve të tjerë nën ujë.