Anëtari i kryesisë së PD Bardh Spahia ka vijuar akuzat e tij ndaj bashkisë Shkodër lidhur me mungesën e vaditjes së tokave në njësinë Postribë edhe pas reagimit të bashkisë që mohoi këtë problematikë. Spahia përmes një postimi në rrjetet sociale bën të ditur se bashkia Shkodër ka mashtruar duke mos thënë të vërtetën dhe se pamjet e servirura i përkasin kanalit të Shtodrit që vadit njësinë Rrethina dhe jo Postribën. Ja se çfarë shkruan Spahia në reagimin e tij:

“Mbas denoncimit te banorëve të Postribës për situatën skandaloze të kanaleve vaditëse në këtë njësi administrative, Bashkia Shkodër dhe drejtuesi i saj në vend që të merren me zgjidhjen e këtij problemi jetik për banorët zgjedh të mohojë ekzistencën e këtij realiteti dhe të mashtrojë ashtu siç e ka model e tipar dallues tashmë duke e konsideruar situatën e kanaleve vaditëse në Postribë si optimale dhe duke e shoqëruar madje me pamje nga kanali i Shtodrit i cili furnizon fshatrat e njësisë administrative Rrethina dhe jo Postribën. Mbas kronikës televizive ku përfaqësuesit e bashkisë me urdhër të Becit dalin e mashtrojnë opinionin publik, banorët e fshatrave të Postribës vazhdojnë të denoncojnë pafund realitetin dhe abandonimin e plotë nga institucionet. Ju ftoj të shikoni atë që Bashkia dhe Beci e konsiderojnë gjendje “optimale” dhe kanalet vaditëse “plot” me ujë në fshatrat e Postribës”, përfundon Spahia.

Ky i fundit akuzoi dy ditë më parë se fshatrat e Postribës nuk kanë ujë për vaditjen e tokave bujqësore por bashkia Shkodër e mohoi këtë problem duke thënë se uji nuk mungon gjë të cilën Spahia e cilëson si të pavërtetë duke vijuar akuzat e tij. Bashkia Shkodër ka një sipërfaqe prej 150 km rrjet vaditës, ndërkohë që zona me shtrirjen më të madhe përveç Postribës dhe Rrethinave është edhe Nënshkodra, e cila njihet për prodhimet bujqësore.

Artikulli paraprakNDARJA NGA JETA E ISMAIL KADARESË, KOSOVA SHPALL DITË ZIE 3 KORRIKUN
Artikulli tjetërPUKË, USHTROI DHUNË NDAJ NËNËS SË TIJ, PROCEDOHET PENALISHT 31-VJEÇARI