Kancelari austriak Sebastian Kurz, ka humbur votëbesimin në parlament, duke bërë kështu që Austria të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në votëbesimin që u mbajt këtë të hënë, deputetët austriakë miratuan mocionin e mosbesimit të paraqitur nga partia ‘Jetz’ kundër qeverisë së kancelarit Kurz.
Mocioni erdhi pas videoskandalit të publikuar nga “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, të ish-zv/kancelarit Heinz-Christian Strache i cili shfaqej teksa i ofronte kontrata shtetërore një investitoreje të dyshuar ruse, gjatë një feste në Ibiza të Spanjës.
Vetë Kurz, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së zëvendës kancelarit, që i dha fund koalicionit të tij qeverisës.
Ndërkohë edhe pse partia e kancelarit austriak fitoi në zgjedhjet për Parlamentin Europian, sërish parlamenti votoi pro mocionit të mosbesimit.
Sipas Kushtetutës austriake, Presidenti Aleksander Van der Bellen tashmë do të duhet të emërojë një qeveri teknike për të drejtuar vendin deri në zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të zhvillohen në shtator.