Kandidati i PD për bashkinë Shkodër Xhemal Bushati zhvilloi një takim në një prej kompanive më të mëdha në Shkodër Opportunity e cila ka rreth 600 punonjës, kryesisht të rinj. Kandidati Bushati: Dyert e bashkisë të hapura për rininë
Kompanitë Call Center të cilat kanë një numër të konsiderueshëm punonjësish do të jenë në fokusin e kandidatit të PD për bashkinë Shkodër Xhemal Bushati. Një prej takimeve kandidati Bushati e zhvilloi tek Opportunity Group duke marrë mbështetjen e plotë të të rinjve të cilët janë të shkolluar, të trajnuar dhe një pjesë me eksperiencë në menaxhim si dhe me aftësi të larta në fushën e teknonlogjisë dhe inovacionit.
Kandidati Bushati ofroi mbështetjen e plotë duke ftuar këta të rinj për të zhvilluar projektet dhe idetë e tyre duke i siguruar ata se dyert e bashkisë Shkodër do të jenë gjithmonë të hapura.
Xhemal Bushati (kandidat i PD bashkia Shkodër): Po shoh që paska vetëm rini dhe do më pëlqente të trajtojmë problemet e rinisë. Dyert e bashkisë do jenë të hapura për secilin prej jush dhe për gjithë qytetarët e Shkodrës. Ardhja këtu më krijon përgjegjshmëri kur shoh rininë e aktivizuar në këtë biznes të suksesshëm. Unë do takoj çdo biznesmen për ti pyetur për problematikat dhe për ti kërkuar mbështetjen e tyre. Kualifikimi i të rinjve është shumë i rëndësishëm dhe ne do ti gjejmë mënyrat.
Çdo ide inovative do të ketë dyert e hapura në bashkinë Shkodër dhe do mirëpres secilin prej jush. Kam dhënë prova se di të bashkëpunoj me Fondin Amerikan të Zhvillimit dhe do ti ftoj të vijnë në Shkodër sërish për të investuar.
Nin Kokaj (CEO Famiko Group): Një problem është mungesa e trajnimeve për të rinjtë përsa i takon drejtimit, menaxhimit dhe është e rëndësishme që bashkia të kontribuojë për rininë sepse për ata të rinj dhe biznese që kanë nevojë për menaxher të mirëpërgatitur do e kuptojnë rëndësinë e saj.
Më përpara kam dashur të bëj diçka bashkë me bashkinë Shkodër për të financuar disa projekte dhe bashkia të siguronte organizimin e këtyre trajnimeve dhe mundësinë e sjelljes në Shkodër të personave të aftë por nuk ka patur asnjë iniciativë nga ana e bashkisë për këtë pjesë.
Aurel Hasani (Drejtues Informatik): Kam patur mbështetjen e pronarit për të më financuar një projekt inovativ por nuk kam gjetur komunikimin e duhur nga ana e bashkisë Shkodër. Ka qenë një aplikacion për të parë vendndodhjen e autobuzëve, kohën se kur vijnë në stacion etj por bashkia Shkodër nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me mua për të më pritur për këtë projekt dhe shpresoj që në të ardhmen dyert e bashkisë të jenë të hapura për ne.
Marsit Halluni (Përgjegjës Opportunity): Kemi nevojë për një qytet të pastër dhe me disa shërbime të tjera, na mungon transporti publik dhe për ne si kompani me shumë punëtorë është një shqetësim i madh.
Ditmir Meçani (Departamenti i Operacioneve Opportunity Group): Unë jam një prej të rinjve që kam lënë Italinë për të ardhur dhe për të jetuar në Shkodër, qytetin tim. Nëse unë dua të ftoj miqtë e mi nga jashtë është e turpshme të vijnë dhe të shohin atë hyrje që ka qyteti aktualisht.
Xhemal Bushati (kandidat i PD bashkia Shkodër): Hyrja e Shkodrës do të ketë një projekt. Ka qenë një projekt 370 milion lekë dhe asnjëherë nuk është vënë në zbatim. Ndryshimi në Shkodër do shihet që në muajin e parë.