Një 41-vjeçar me banim në Kamzë është nën hetim pasi akuzohet për veprën penale “përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në dëm të ish-kunatës së tij.
Sipas policisë, dyshohet se F.H., e ka telefonuar 40-vjeçaren duke e akuzuar se e ka ndarë nga e shoqja. Ka qenë 40-vjeçarja B.B. që një ditë më parë është paraqitur në komisariatin e policisë në Kamëz dhe ka bërë kallëzim. Në deklaratën e saj para uniformave blu, ajo është shprehur se ka marrë telefonata të vazhdueshme nga ish-kunati i cili sipas saj, e ka fajësuar se ka qenë ajo shkaktarja e ndarjes së tij me motrën e 40-vjeçares.
Pas kallëzimit, policia nisi një procedim penal ndaj F.H. për veprën penale “përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ndërsa materialet hetimore në ngarkim të 41-vjeçarit u referuan në Prokurorinë e Tiranës.