Lajden Kadilli, një personazh mjaft i lakuar në botën e krimit në Durrës është shpallur në kërkim policor pasi ka kanosur me armë djalin e deputetit të PS në Durrës Spartak Braho.

Kreshnik Braho, në momentin kur është sulmuar me armë ka qënë në shoqërinë e dy fëmijëve të mitur që ndodheshin në makinë me babain e tyre, por fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë lëndim.

I gjithë debati ka ndodhur për parkimin poshtë pallatit ku banon Kreshnik Braho, pasi Lajden Kadilli, e kishte bllokuar me një motor. Mandej situata ka agravuar duke sjellë irritimin e Lajden Kadillit i cili është larguar dhe më pas kthyer në vendgjarje duke kanosur me armë zjarri Kreshnik Brahon.

Mësohet se në largim e sipër, Kadilli ka kërcënuar se do i vriste dhe ka ofenduar rëndë dhe persona të tjerë banorë të pallatit. Lajden Kadilli nuk ka qëlluar po i është afruar makinës së Kreshnik Brahos dhe ka thyer xhamin e makinës me qytën e automatikut. I trembur nga arma, Kreshnik Braho është larguar me shpejtësi duke bërë denoncim në policinë e Durrësit.

Ngjarja nuk është bërë publike nga policia e Durrësit, ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një statusi në “FB”, tregoi se djali i deputetit Braho i kishte shpëtuar një atentati me armë.

Në fakt ngjarja është denoncuar në polici që në momentet e para kur ka ndodhur, por policia e Durrësit jo vetëm që nuk ka bërë publike rastin, por dhe nuk ka bërë të mundur arrestimin e autorit të këtij krimi, Lajden Kadilli.

Prej 9 ditësh Kadilli i fshihet policisë së Durrësit, ndërkohë strukturat e këtij qyteti duket se ende nuk kanë intesifikuar kërkimet për arrestimin e tij. Lajden Kadilli, momentalisht rezulton të jetë i dënuar me kusht për akuzën e “Plagosjes së lehtë me armë” dhe ishte caktuar nga gjykata e Kavajës, për të mbajtur kontakte me shërbimin me provës në Durrës.

Ndërkohë prokuroria e Kavajës e ka akuzuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa lejë të armëve luftarake”, duke kërkuar 6 vite burgim.Por edhe pse Kadilli ka qënë në mungesë, pra në kërkim ai sërisht ka mundur ti shpëtojë drejtësisë duke u dënuar me kusht, dhe qëndruar i lirë. Kadilli rezulton të jetë djali i Arian Kadillit, pronarit të hotel “Lyden” në Golem që ndodhet pranë kompleksit “Xixa”.

Kadilli rezulton një personazh problematik për policinë dhe prokurorinë e Durrësit pasi është dënuar disa herë. Dënimi i tij i fundit është dhënë nga gjykata e Kavajës, ku prokuroria e këtij qyteti e akuzonte për vrasje të mbetur në tentativë ndërsa gjykata e dënoi për plagosje me armë, duke i caktuar që dënimin ta kryejë në gjëndje të lirë duke mbajtur kontakte me shërbimin e provës.

Lajden Kadilli ka plagosur një nga pronarët e rezidencës “Giardino” në Golem pas një konflikti që ata kishin me babain e tij, Ardian Kadilli. Për këtë ngjarje prokuroria ka kërkuar dënimin e Lajdenit me burg për “Plagosdja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, por gjykata e Kavajës ka ndryshuar akuzën duke e dënuar për plagosje të lehtë, duke e dënuar me kusht dhe lënë të lirë.Momentalisht ky vendim i gjykatës së Kavajës është apeluar në gjykatën e Apelit Durrës dhe pritet që në ditët në vijim të meret një vendim për Kadillin.

Por ky nuk është i vetmi rekord kriminal për Lajden Kadillin, pasi ai është dënuar nga gjykata e Durrësit disa herë për “Kundërshtimi me dhunë të punonjësit të policisë Rendit Publik” e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake në banesë”, “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë plagosjen e një efektivi policie”, “Moskallëzim Krimi”, “Kanosje me armë” etj.

Tashmë i në prokurorinë e Durrësit është hapur dhe një çështje tjetër penale për këtë personazh, ndërkohë që i mbetet policisë së Durrësit që ta arrestojë këtë kontigjent kriminal, për të mos i dhënë mundësinë të krijojë ngjarje të tjera kriminale.

Artikulli paraprakZJARR NË BANESËN PRANË SHTËPISË MUZE TË KONGRESIT TË LUSHNJES
Artikulli tjetërTREMUJORI I DYTË, 2.1 HERË MË PAK ENERGJI ELEKTRIKE NGA THATËSIRA