Pas kaosit të krijuar prej ditësh në libraritë e qytetit të Shkodrës, qytetarët tashmë detyrohen të kthejnë mbrapsht tekstet shkollore, pasi ato nuk pranohen nga mësuesit e fëmijëve të tyre.
Situata vijon të mbetet e pazgjidhur, ndërsa ekzistojnë raste ku librat nuk pranohen as nga pikat e licensuara për shitjen e tyre. Burime pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale bëjnë me dije në rrugë jozyrtare se ky problem ka ardhur si pasojë e konfuzionit ndërmjet listave të shkollave dhe teksteve që kanë blerë qytetarët. Ata shprehen se çdo shkollë ka zgjedhur shtëpitë botuese specifike të librave, gjë e cila ka sjellë kaos në pajisjen me tekste. Qytetarët nuk kanë marrë akoma informacionin e duhur në lidhje me këtë proces, ndërsa ata që e vujnë më tepër situatën janë nxënësit e shkollave, të cilët mesa duhet duhet të presin gjatë deri në pajisjen e plotë me libra shkollorë.