Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të Rithemelimit, pavarësisht kaosit që ata po krijojnë në Kuvend duke sabotuar punën e seancave plenare, por edhe të Komisioneve. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se po asgjësohen të drejtat e opozitës në Kuvend dhe se Partia e Lirisë mbështet kërkesat e tyre për ngritjen e Komisioneve Hetimore. Meta shkruan se kjo krizë nuk zgjidhet me Gardën, por duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Dënoj me ashpërsi militarizimin e institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë. Asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës është sulm ndaj pluralizmit politik dhe llogaridhënies para qytetarëve. Partia e Lirisë mbështet vendosmërisht qëndrimin e opozitës e në veçanti:
Garantimin e ngritjes të komisioneve hetimore në Kuvend; Të drejtën e opozitës për të zgjedhur përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore; Garantimin e shqyrtimit të të gjitha projektligjeve që opozita ka depozituar në Kuvend dhe që bllokohen prej vitesh. Deputetët e opozitës përfaqësojnë zërin e mbi 700 mijë qytetarëve të cilët kanë të drejtë të dëgjohen. Kjo krizë e rëndë nuk zgjidhet me Gardën e Republikës por me respektimin e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit, si baza e funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shkruan Meta. Skenari i Rithemelimit për kaos këtë të hënë u frenua nga Garda e Republikës tek porta hyrëse e Kryesisë së Kuvendit ku nuk lejoi hyrjen e deputetëve të përjashtuar. Pas përplasjeve disa deputetë të Rithemelimit të përjashtuar hynë nga dritaret, ndërsa PS zhvilloi komisionet online. Opozita nuk arriti të zhvillojë as mbledhjen e grupit me kryetarin jashtë, ndërsa Bardhi paralajmëroi padi të re për Lindita Nikollën.