507 kg kafe kontrabandë nga Maqedonia, arratiset 51-vjeçari
Policia Kufitare Viçisht Dibër ka sekuestruar 507 kg kafe kontrabandë që vinte nga Maqedonia drejt Shqipërisë. Policia ka shpallur në kërkim 51-vjeçarin B.T banues në fshatin Gjoricë e Poshtme, Bulqizë. Procedimi ndaj tij filloi pasi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka tentuar të fusë kafe kontrabandë nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë, me mjetin e tij tip “Ford fugon”. Shtetasi B.T, sapo ka parë shërbimet e Policisë Kufitare ka braktisur automjetin dhe është larguar duke përfituar dhe nga errësira. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, iu gjetën dhe sekuestruan 507 kg kafe. Policia po vazhdon punën për kapjen e drejtuesit të automjetit.