Kapen dy shtetas me makinë të blinduar dhe arme,njëri prej tyre polic
Dy persona të njohur nga policia që kanë patur lidhje me Elton Çiçën, njëri prej të cilëve polic i burgut të Tepelenës, u arrestuan nga njësia “Shqiponja” në Tiranë mbrëmjen e të shtunës. Gentian Muçaj, 36-vjeç, i dënuar më parë për rrëmbim personi dhe Mirald Meça, 28-vjeç, polic në burgun e Tepelenës, u kapën me dy pistoleta pa leje në rrugën Vorë – Rinas. Ata udhëtonin me një makinë tip Audi të blinduar, ndërsa me vete kishin dy armë zjarri, një pistoletë TT me 7 fishekë, si dhe një tjetër të markës “Grand Power”, me 15 fishekë, qe te dyja pa leje. Dy personat mësohet se udhëtonin në drejtim të Tepelenës. Gjatë marrjes në pyetje, ata deklaruan se mbanin armë për vetëmbrojtje por nuk specifikuan shkakun. Të dy personat kishin njohje me Elton Çiçën, i cili u ekzekutua një vit më parë në një lokal në Tiranë pranë stadiumit “Dinamo”, si pjesë e një sërë ngjarjesh kriminale mes grupit të tij dhe të Jani Aliajt. Ky i fundit vijon ende të jetë në kërkim nga policia.