Kapet 28. 7 kg kanabis – Trafik kanabisi nga Qafë-Thana, trafikantët lëshojnë thasët e arratisen

Policia Kufitare gjen dhe sekuestron në kufirin e gjelbër një sasi prej 28. 7 kg kanabis. Blutë bëjnë me dije se “me datë 19.09.2016, rreth orës 02:00, Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë – Thanës, gjatë mbikqyrjes dhe kontrollit të kufirit të gjelbër, në afërsi të pyllit i cili ndodhet në krahun e djathtë të Pikës së Kalimit Kufitar, kanë konstatuar lëvizjen e dyshimtë të dy personave”. Policia thotë se u ka bërë thirrje këtyre të fundit për të ndaluar, por duke përfituar edhe nga errësira, këta shtetas janë larguar me shpejtësi në brendësi të pyllit, duke mos iu bindur urdhërit të tyre. Ndërkohë gjatë ndjekjes dhe krehjes së zonës, punonjësit e Policisë Kufitare, kanë konstatuar tre thasë me ngjyrë të bardhë, brenda të cilëve u gjetën 25 pako të mbështjella me natriban, me një peshë 28 kg e 725 gr, lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva. Sasia e lëndës së dyshuar narkotike, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga ana e policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Veprimet e para proceduriale, u kryen nga specialistët e Seksionit për Narkotikët, të cilët lidhur me këtë rast, referuan materialet hetimore pranë Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve”.

Artikulli paraprakPLAGOSET ME THIKË NJË 42-VJEÇAR NË VAU TË DEJËS
Artikulli tjetërSHBA,IDENTIFIKOHET AUTORI I DYSHUARI I SHPERTHIMIT NE NJU JORK