Policia bregdetare greke thotë se ka sekuestruar sasinë më të madhe të kanabisit që është kapur ndonjëherë.
Plot 6,2 ton kanabis i përpunuar në trajtë çokollate, është gjetur në bordin e një anijeje rimorkiator që po lundronte në jug të ishullit të Kretës. Policia bregdetare greke publikoi një njoftim për shtyp mbrëmjen e të mërkurës, ku jep disa detaje mbi operacionin, që u krye në bashkëpunim me agjencinë europiane të kufirit Frontex, që disponoi një avion të vetin. Në operacion kanë marrë pjesë forcat speciale, të cilët edhe kanë kryer të shtëna paralajmëruese, pasi ekuipazhi i rimorkiatorit nuk iu bind urdhërit për të ndaluar.
Më pas rimorkiatori me emrin “Andreas” është drejtuar për në molin e Agia Galinit, ku është ushtruar një kontroll i imtësishëm, ku u përdorën edhe qenët e zbulimit të drogës. Në vende të ndryshme të anijes, në zgafella të posaçme ishin fshehur 241 paketa me kanabis të përpunuar në formë çokollate. Policia bregdetare thotë se deri tani janë zbuluar 6.178 kilogramë. Sipas komunikatës, vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet në 70 milionë euro. Gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit, që të gjithë shtetas sirianë, janë arrestuar. Po vazhdojnë kërkimet, se mos në bordin e anijes ka dhe sasi të tjera droge, ndërkohë që policia bregdetare greke thotë se po vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me autoritetet e shteteve të huaja.
Autoritetet greke nuk kanë njoftuar se nga ishte nisur rimorkiatori i ngarkuar me drogë. Sipas disa burimeve të shtypit grek, ishte nisur nga Libia, ndërsa sipas disa burimeve të tjera, nga Qipro.