Kapet furgoni me 207 kg drogë shqiptare, arrestohet shoferi
Policia greke ka njoftuar të martën në mesditë për sekuestrimin e më shumë se 200 kg drogë, që vinte nga Shqipëria. Sipas komunikatës së policisë, droga u gjet në një mjet me targa shqiptare, që po lëvizte në aksin rugor Kakavijë-Kallpaki. Një patrullë e policisë e ndaloi mjetin për kontroll dhe në bagazhet anësore të rimorkios u gjet një sasi droge prej 207 kg 1 119 gramë. Droga ishte ambalazhuar në 196 pako, të futura në 8 çanta udhëtimi. Drejtuesi i mjetit, shtetas shqiptar i moshës 42 vjeç, u arrestua. Bashkë me drogën u sekuestrua edhe mjeti, që është në pronësi të një firme shqiptare transportesh. Gjithashtu, u konfiskuan 280 euro që kishte me vete drejtuesi i mjetit, si dhe dy telefona celularë. I arrestuari do të dërgohet në prokurorinë e Janinës për veprimet e mëtejshme.