Kapet mashtruesi kronik, premtonte kredi e qera të ulëta

Prezantohej si punonjës i bashkisë apo Ministrisë së Brendshme dhe duke u premtuar njerëzve kredi me norma të buta interesi u zhvaste atyre shuma të konsiderueshme parash dhe valutë të huaj. Në këtë mënyrë e kishte organizuar skemën e mashtrimit Elton Tozaj, i cili rrezikon një dënim deri në 8 vjet burg për mashtrime ndaj disa personave dhe falsifikim dokumentesh. Sipas prokurorisë, Tozaj të paktën në tre raste u ka marrë viktimave të tij nga 300 mijë deri në 650 mijë lekë të reja, pasi i kishte mashtruar se do t’i fuste në listën e personave që përfitonin kredi të buta nga bashkia. Këtë skemë ai e aplikonte edhe duke u prezantuar si punonjës i Ministrisë së Brendshme dhe për t’u bërë sa më i besueshëm u paraqiste viktimave formulare apo dokumente që i falsifikonte me firmën e ministrit Saimir Tahiri, ose të titullarëve të tjerë të lartë. Madje, në një rast ai ka mashtruar edhe një biznesmen, të cilit i premtoi se do ta rregullonte që të merrte me qera vilën 31 në zonën e ish-Bllokut. Për këtë mashtrim të radhës, Tozaj kishte marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh dhe 5 mijë eurosh, ndërsa çimimi i qerasë do të ishte 3 dollarë për m2. Por duket se këto mashtrime ishin kthyer në një mani për të pandehurin pasi vite më parë ai kishte qenë sërish i dënuar për të njëjtën akzuë, pasi mashtronte personat e interesuar për t’u pajisur me dëshminë e taksistit dhe u merrte atyre shuma që varionin nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të reja. Edhe këtë mashtrim ai e realizonte duke u prezantuar si këshilltar i ministrave të ndryshëm, si dhe duke paraqitur dokumente të falsifikuara. Pas pretencës së prokurorisë, e cila kërkoi dënimin e Elton Tozajt me 8 vite burg, pritet vendimi i gjykatës.

Artikulli paraprakNEGOCIATAT, LAJÇAK:DUAM PROVA DHE FAKTE QË SHQIPËRIA KA BËRË PROGRES
Artikulli tjetërTURIZMI NË KRYE, NË VERË EKONOMIA PËRFITOI GJYSMË MILIARD EURO