Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ka kallëzuar rojen e burgut 313, pasi natën e ndërrimit të viteve, në 31 Dhjetor tentoi që të fusë pije alkoolike dhe produkte ushqimore në qelinë e Emiljano Shullazit.
Plani i Shullazit për të pritur Vitin e Ri me alkool dështoi, ndërsa roja, pasi u zbulua u kallëzua penalisht, sipas burimeve të Shqiptarja.com nga prokuroria.
Emiljano Shullazi u dënua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda me 14 vite burg, ndërsa grupi në total me 55 me për krijim të grupit të strukturat kriminal, gjobvënie dhe kanosje për shkak të detyrës. Tashmë dosja ndodhet në Gjykatën e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, por pavarësisht se ndryshoi emri i gjykatës, cështja vijon që të shtyhet.
Drejtori i Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili pak kohë më parë u kërcënua me jetë. Kërcënimi dyshohet se erdhi si reagim i personave të dënuar për masat e rrepta që po aplikohen në sistemin e burgjeve shqiptare, sistemi “41 bis”.
Prej disa muaj Agim Ismaili vuri në zbatim në dy burgje 313 Tiranë dhe në Peqin, rregullat e izolimit që parashikon ligji “41 bis”. Një gjë e tillë duket se solli rebelimin dhe kërcënimin e tij me jetë.