Pavarësisht rritjes së lehtësimeve në muajin maj, sërish vendi ishte në një pjesë të mirë të tij me kufizime sa i takon qarkullimit me automjet. Kjo ka bërë që të ketë një ulje të numrit të aksidenteve në raport me majin e një viti më parë. “Në muajin Maj 2020 numërohen 75 aksidente rrugore nga 115 aksidente të ndodhura në muajin Maj 2019, duke u ulur me 34,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pesë mujorin e parë të 2020, numërohen 390 aksidente rrugore nga 583 aksidente të ndodhura në pesë mujorin e parë të 2019, duke u ulur me 33,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” raportoi INSTAT.
Publikimi për aksidentet tregon se në muajin Maj 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 86 persona nga 143 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 39,9 %. Numri i të aksidentuarve në pesëmujorin e parë të vitit 2020, është 513 persona nga 773 persona, duke u ulur me 33,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Por pavarësisht se ka pasur ulje të numrit të aksidenteve duket se jetët e humbura në rrugë kanë vazhduar të mbeten të larta.
“Në muajin Maj 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 10 persona nga 14 persona të vdekur në Maj 2019. Në pesëmujorin e parë të 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 59 persona nga 76 persona në të njëjtën periudhë të një viti më pare” vlerëson INSTAT.
Sipas raportit në muajin Maj 2020, aksidentet rrugore, në 92,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pesëmujorin e parë të 2020, aksidentet rrugore, në 18,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 21,1 %, krahasuar me një vit më parë./Monitor