Kardinali Ernest Troshani ka vizituar Vendin e Dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, muzeu që gjatë komunizmit ka qenë degë e brendshme. Nga qelia ku qëndroi tre muaj gjatë hetimit, ai kujtoi pse u arrestua për një meshë dhe vuajtjet në hetuesi duke treguar se si i pushoi zemra nga torturat macabre.
“Në vitin 1963, natën e Krishtlindjes, më vendosën hekurat, me shqelma duke më rënë më thanë je i arrestuar në emër të popullit, je i dënuar dhe duhet me të var në litar pse i ke thënë popullit se duhet me vdek gjithë për Kryqin e me qenë besnik i fesë dhe ke kremtuar meshë për Presidentin amerikan John Kenedy. Kishte tre muaj që ishte vrarë dhe Papa asokohe tha që gjithë meshtarët e botës me kremtu tri meshë për Presidentin amerikan. Unë atë e dëgjova në një radio dhe e realizova. Më arrestuan edhe për ekzorcizmat dhe i thashë pyesni ata që janë shëruar. Nuk shërojmë ne por është Zoti që shëron. Në hetuesi nuk kishte rrugë tjetër ose me shpif për vete e për tjeët ose me duru torturat. Kur binte çanga këtu në paraburgim, u dridhte trupi krejt. Më vendosën hekurat këtu dhe rrahjet e zemrës më mbaruan. Si kam qëndru gjallë nuk e di as unë. Më hodhën një kovë me akull në trup dhe se si jam çuar nuk e di. Në hetuesi qëndrova tre muaj për me zbulu krimin, po çfarë krimi kisha bërë unë, isha duke i shërbyer njerëzve e Zotit. Më pas më dërguan në gjyq dhe më dënuan me 20 vite. Populli duhet të dijë se jeta e njeriut është e shkurtër për të fituar jetën e pamatun. Me i shërby të drejtës që nuk mbaron kurrë dhe të jemi të lumtur për gjithë jetën. Ata që më duan jo vetëm që i kam falur por edhe kam kremtuar meshë për shpirtin e tyre”.
Kardinal Troshani ka edhe një mesazh për mbarë popullin.
“Dy fjalë që t’i mbajnë mend të gjithë, fëmijë të rritur, të pasur e të varfër se ne jemi kryeveprat e Zotit dhe se na pret ne jetën e pasosun. Shumë kush mund ta ketë harruar por nuk duhet ta harrojmë se ka për të ardhur Krishti për të dytën herë. Kanë për t’u ngjallë gjithë njerëzit e vdekur qysh me Adamin. Si bariu i mirë që ndan delet veç e dhitë veç ka për të qenë e ndarë e gjithë bota sipas veprave që kemi bërë kemi për të patur lumninë e drejtësinë hyjnore. Fjala e Zotit është e para, jeta e amshuar. Duhet të ndihmojnë të varfërit, t’i qëndrojmë urdhnimeve të Zotit, me dasht njëri-tjetrin si veten, të gjithë me ndihmu të gjithë. Shpirtrat e gjithë njerëzve kanë për t’i ndjek veprat e mira që kanë bërë për amshim. Pasuria e dhënë për të varfrit ka për të shkëlqyer më e fortë se drita e diellit për gjithë njerëzimin”.
I pranishëm në këtë vizitë ishte arqipeshkvi i Dioqezes së Firences, kardinali italian Giusepe Betori . Shkëlqesia e tij tha se ndjen emocion të fortë në qelinë ku qëndroi kardinal Troshani.
“Para së gjithash këtu ndjen një emocion të fortë, teksa qëndron në këtë vend ku u përjetua martirizimi i një njeriu dhe të tjerëve përreth. Ne që shpesh gjykojmë besimin tonë për gjëra të vogla, këtu dëshmohet një jetë që angazhoi gjithë besimin. Gjëja tjetër që më godet shumë është se gjithçka lind nga një Papë nga bindja ndaj Papës, sepse ai u fut në burg sepse iu bind Papës që kërkoi të kremtonte një meshë. E në fund ishte papa që i dha mantelin e vjollctë të asaj për të cilën kishte vuajtur, dy herë i bindur ndaj papës. Duke kremtuar një meshë që ishte e ndaluar nga pushteti dhe e dyta duke ju bindur papes të ishte një nga kardinalët e tij. Zoti na ndihmon të kuptojmë të gjithë këtë dhe të japë frytet e asaj që është kaluar këtu, pasi ne e dijmë që feja na thotë pas kryqit është zgjidhja. Të shohim kryqet e këtij vendi që na tregojnë rrugët e zgjidhjes e të jemi të denjë”.
Kardinal Betori në mesazhin që dha pas vizitës në Muzeun ish burg foli edhe për martirët e kishës katolike shqiptare.
“Ne e dimë se besimi i krishterë është themeluar mbi sakrificën e Krishtit, por që nga fillimi i jetës së kishës vuajtjet e Krishtit kanë qenë gjithmonë të bashkuara me vuajtjet e martireve. Ka një vazhdimësi midis asaj që është martirizimi i Krishtit në kryq dhe martirizimin e shumë njerëzve që, për besnikëri ndaj Krishtit, kanë pranuar vuajtjet që kam parë këtu. Ndaj duhet t’u jemi mirënjohës edhe martirëve të lashtë, natyrisht si dhe atyre të kohëve tona. Papa, ashtu si papët e mëparshëm, nënvizoi fakti që sot në kishë nuk ka më pak martirë sesa kishte në fillimet e jetës së kishës ndoshta në kohët tona urrejtja në lidhje me fenë dëshmohet në shumë vende e forma, saqë ka kapërcyer edhe pengesat e shpalljes së Ungjillit në dekadat e para të shekujve të parë të jetës së krishterë. Por duhet të them se këtu në Shqipëri e gjithë kjo është pothuajse një veshje shkencore, një pozicion i brendshëm kundër një pranie që ishte e rëndë. Prandaj vullneti për të dashur e respektuar praninë e zemrave të njerëzve, por edhe kujtimin e Krishtit dhe të kishës, duhet të na nxisë të nderojmë me mirënjohje të thellë të gjithë martirët të vdekur dhe të gjallë si Kardinali ynë i dashur Ernesto, sepse ata na kanë dhënë një arsye për t’i qëndruar besnikë Jezusit dhe Ungjillit të tij”.
Të dënuar nga kleri e laike kanë qenë në qelitë e degës së brendshme në Shkodër, godinë që i qe konfiskuar Kishës për t’u kthyer në vend torturash. Ipeshkvi i Shkodrës Angelo Masaffra dhe drejtori i Muzeut Pjerin Mirdita shoqëruan delegacionin. Pas vizitës dy kardinalët mbajtën meshën e shenjtë në Katedralen e Shkodrës.