FIFA ka vendosur që ndeshja mes Brazilit dhe Argjentinës, e vlefshme për kualifikueset e Katar 2022, do të riluhet. Sfida ishte anuluar për shkak të problemeve të disa lojtarëve të Argjentinës të cilët në teori nuk duhej të hynin në territorin brazilian dhe policia shkoi t’i deportonte në stadium, pak minuta para sfidës.

Ndeshja e shtatorit bëri xhiron e botës edhe pse nuk u luajt, pasi polica kërkoi deportimin e menjëhershëm të Emiliano Martinez, Lo Celso, Buendia dhe Romero, të cilët nuk kishin përfshirë në deklaratat e tyre se kishin qenë në ditët e mëparshme në Angli, një vend që cilësohej i rrezikshmërisë së lartë në atë periudhë dhe nga i cili Brazili nuk lejonte udhëtime. Argjentina nuk pranoi të zbriste në fushë pa lojtarët e kështu, u shoqërua direkt nga fusha për në aeroport, në një ngjarje shumë të rëndë.

FIFA bëri të ditur sot se ndeshja do të riluhej në një datë dhe orë që mbetej të caktohej nga ajo, teksa ka bërë përgjegjëse të dy skuadrat për ngjarjet e turpshme. Federata Braziliane u ndëshkua me 500 mijë franga zvicerane për shkelje sa i përket rregullit dhe sigurisë, ndërsa ajo argjentinase me të njëjtën shifër pasi nuk kishte përmbushur detyrimet për zhvillimin normal të një sfide. Ndërkohë, nga një gjobë prej 50 mijë frangash u shtohej të dy palëve për shkak të braktisjes së ndeshjes.

Kurse katër lojtarët e përfshirë në këtë çështje, u ndëshkuan me 2 ndeshje pezullim pasi nuk i ishin përmbushur detyrimeve sipas protokollit të masave anti-COVID.
/PanoramaSport/

Artikulli paraprakUKRAINA/ BIDEN E JOHNSON KANË ENDE SHPRESË PËR ZGJIDHJE DIPLOMATIKE, ZBARDHET TELEFONATA E FUNDIT E DY LIDERËVE
Artikulli tjetërXHEMAL BUSHATI: 6 MARSI TË MOS JETË THJESHT NJË DATË, POR FESTA KU QYTETI FITON