Katër deputetëve malazezë të opozitës u hiqet imuniteti
Parlamenti i Malit të Zi ka votuar për t’iu hequr imunitetin katër deputetëve të opozitës, nën akuzat se kanë nxitur dhunë brenda kuvendit. Rasti daton nga muaji shkurt, kur parlamenti u ka hequr imunitetin dy deputetëve pro-rusë, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, ndërsa deputetët rivalë më pas janë përleshur dhe kanë fyer njëri-tjetrin brenda ndërtesës së kuvendit. Mandiq dhe Knezheviq, nga partia opozitare Fronti Demokratik, janë zhveshur nga imuniteti nën dyshimet se kanë qenë të përfshirë në një përpjekje për grushtshtet kundër Qeverisë malazeze, në tetor të vitit 2016. Në një seancë të tensionuar, që ka zgjatur deri në mesnatën e kaluar, ligjvënësit kanë votuar për t’iu hequr imunitetin deputetëve të Frontit Demokratik: Marina Jociq, Millutin Gjukanoviq, Branko Radulloviq dhe Millan Knezheviq, për shkak të dhunës në muajin shkurt. Mocioni kundër tyre është kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit.