Katër kategoritë e policisë që përfitojnë sigurim të veçantë shëndetësor
Punonjësit e strukturave të veçanta të Policisë së Shtetit do të përfitojnë sigurim shëndetësor të veçantë për shërbimet shëndetësore. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është marrë vendim për sigurimin shëndetësor të veçantë për disa struktura të policisë. Në pikën 2 të vendimit thuhet se kategoritë e punonjësve të Policisë së Shtetit që përfitojnë sigurimin shëndetësor të veçantë janë, si më poshtë: a) Forcat speciale; b) Forcat operacionale të ndërhyrjes së shpejtë; c) Forcat e posaçme operacionale; ç) Punonjësit e policisë që shërbejnë si oficerë kontakti, pranë ministrive homologe të shteteve të huaja, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë. Punonjësit e policisë së këtyre strukturave përfitojnë tre shërbime, ai për kontrollin parandalues, diagnostikues dhe kurues, ndërsa do të duhet të lidhin kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Policia e Shtetit do të duhet të derdhë brenda muajit korrik të çdo viti fondin buxhetor për këtë çështje me jo më shumë se se 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë për çdo punonjës që do të sigurohet. Institucioni përkatës brenda muajit dhjetor të çdo viti, harton listën e punonjësve përfitues, ndërsa fondi për këtë qëllim planifikohet për çdo vit, në programin buxhetor të Policisë së Shtetit.