Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për shpërndarje të drogave forta në doza të vogla.
Në kuadër të operacionit të koduar “Restart” u arrestuan G. N., 19 vjeç, A. T., 19 vjeç, M. Gj., 22 vjeç dhe J. P., 18 vjeç, të katërt lindur dhe banues ne Rrëshen.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa të rinj po shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zonën e Kamzës, Patrullat e Përgjithshme të Komisariat të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë ushtruar kontrolle në disa ambiente dhe automjete.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga shtetasi G. N., me pasagjerë shtetasit A. T., M. Gj. dhe J. P., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike, të dyshuar kokainë, të futura në qese farmaceutike gati për shitje, gjithsej 11.2 gr., të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.