Vjedhja e një sasie armatimi dhe municioni nga depoja ushtarake në bazën e Flotës Luftarake Detare “Pashaliman”, ka sjellë dënimin e katër efektivëve, që u morën të pandehur me procedurën e gjykimit të shkurtuar, duke përfituar uljen e dënimit në masën 1/3.
Vendimi është marrë në nga gjykata e Vlorës, ku gjyqtarja e çështjes Viola Canaj, deklaroi fajtor dhe dënoi me 16 muaj burgim Ardit Ramaj, për akuzën e “Shkelja e rregullave të shërbimit të rojës në depot e armatimit me pasoja të rënda”.
Me 16 muaj burgim dhe për të njëjtën akuzë është dënuar dhe ushtaraku tjetër i bazës së Pashalimanit, Lesko Ramosaço. Ndërkohë me 20 muaj burgim është dënuar Ervist Memsullaj, ndërsa me 12 muaj burg është dënuar ushtaraku Edlir Nelaj.
Për këtë të fundit gjyqtarja e çështjes ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e vuajtjes së dënimit me burg, duke ja konvertuar këtë masë dënimi me 200 orë punë të detyrushme, në interes publik pranë Bashkisë Vlorë.
Dosja penale është administruar dhe hetuar nga prokurorja e çështjes Elona Alvora, e cila në muajin Janar 2019 urdhëroi arrestimin e katër ushtarakëve, pasi konstatoi se ishin pikërisht ata personat përgjegjës për rrethanat e vjedhjes së automatikëve, fishekëve, granatave dhe 700 plumbave të llojit pistoletë TT, nga depoja e bazës ushtarake “Pashaliman”.
Në materialin që prokuroria ka referuar në gjykatë, thuhet se autorët kanë shkallmuar zgarën metalike të depos duke shkëputur kunjat nga muri për t’u futur brenda duke marrë armatimet.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë të vlefshme që mund të dërgojnë në identifikimin e autorëve të kësaj vjedhje, por që ende nuk është bërë identifikimi i tyre. Ndërkohë në anën e jashtme të gardhit rrethues, poshtë rrugës është gjetur një armë luftarake tip ML model 56 me nr.1600288, në gjendje të rregullt të padëmtuar dhe disa fishekë që u kanë rënë, autorëve në ikje e sipër.
Natën që është kryer vjedhja në shërbim kanë qenë Ardit Ramaj me detyre oficer informacioni dhe shërbimi, përgjegjës roje rreshter ka qenë Lesko Ramosaço. Ndërsa rojë shërbimi në depon e armatimit ka qenë Anit Nelaj i cili ka dorëzuar shërbimin tek Ervist Memsulla.
Gjatë natës roja i shërbimit Ervist Memsulla ka qëndruar në shërbim deri rreth orës 03:30 dhe me pas është larguar dhe kthyer përsëri rreth orës 06:00, ka vazhduar shërbimin e rojës pa ushtruar kontroll në objekt dhe më pas nuk ka pritur rojën marrës të shërbimit, por është larguar nga vendi. Ervist Memsulla ka shpjeguar se rreth orës 03:30 për shkak të motit me shi dhe erë është larguar nga vendi shërbimit dhe ka shkuar rreth 700 m larg, duke e braktisur atë dhe ka qëndruar deri rreth orës 06:00 me pas është kthyer, ka qëndruar aty deri rreth orës 08:00 dhe me pas është larguar.
Sipas hetimit, Edlir Nelaj me detyrë përgjegjës ndërrese shërbimi ka hartuar procesverbalin e marrjes së shërbimit të rojës nga Lesko Ramosaco pa qenë prezent personeli i shërbimit dorëzues, por këtë veprim e ka dokumentuar në kundërshtim me ligjin duke nënshkruar tek libri marrjes së shërbimit në emër të personelit të marrjes së shërbimit të rojës.
Po kështu në kundërshtim me rregulloren e brendshme Lesko Ramosaco dhe Edlir Nelaj nuk kanë ushtruar kontroll fizik në objektet përkatëse ku kryhej shërbimi rojës, duke mos ushtruar në këtë mënyrë edhe kontrollin fizik në depon e armatimit ku edhe është konstatuar vjedhja e armatimit dhe municionit luftarak.
Lista e armatimeve të vjedhura në bazën e “Pashalimanit”
2 armë luftarake automatike model 56 me bajonet shtizë
700 fishekë luftarake 7.62m qe përdoren nga arme luftarake pistolete TT model 54
3691 fishekë luftarakë qe perdoren nga armet luftarake automatik blindëshpues djegës
40 granata dore luftarake
40 ndezës per granata dore luftarake
1 krehër hark automatik luftarak
1 pushke M-4 karabine luftarake model 14.5 me barelë 5x56x45mm
1000 fishekë luftarake model 5.56mm x 45mm me maje te rrumbullaket normal
4 krehra rezerve për 30 fishekë luftarake 5.56mm.