Katert vite burg gjyqtares

 

Me një karrierë 24-vjeçare si gjyqtare nga Gjykata e Shkallës së Parë e së fundmi në Gjykatën e Lartë, gjyqtarja e pezulluar Majlinda Andrea rrezikon 4 vite burgim nëse shpallet fajtore nga ish-kolegët e saj. Gjatë pretencës, prokurori deklaroi se 48-vjeçares nën akuzë për korrupsion pasiv i duhet dhënë gjithashtu edhe dënimi me 5 vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike. Për të njëjtën dosje, shpallja fajtor u kërkua edhe për bashkëshortin e saj, Odhisea Andrea, i cili rrezikon dënimin me 5 vjet burg dhe gjithashtu heqje e të drejtës për tu angazhuar në detyra publike për 5 vjet. Tre të dyshuarit e tjerë morën së bashku në total 7 vite burgim për korrupsion aktiv, pasi kanë paguar në formën e një kontrate huaje shumën e 50 mijë eurove për të përfituar një vendim gjyqësor për njohjen e 40 hektarë tokë në Butrint. Prokurori tha se, sipas përgjimeve, rezulton se gjyqtarja e pezulluar që prej verës së vitit 2016, përmes kontakteve me kushëririn e saj Petraq Dashi, e ka informuar palën mbi fatin e dosjes, duke përshpejtuar edhe dërgimin në dhomë këshillimi. “Unë fola me atë. U ka thënë të interesuarve Dashi dhe koha nuk pret. Nuk duan toka, duhet graso, duan të thata”. Kështu i ka përshkruar paratë në telefon i dyshuari. Rezulton, sipas provave, tha prokurori, se në kohën kur Majlinda është larguar me pushime në Greqi, Petraq Dashi kishte informacion dhe ndërkohë negocionte për shumën e kërkuar, duke e ulur nga 70 mijë në 50 mijë euro, vlerë e cila më pas iu dorëzua Odhisea Andreas. Pikërisht pas pagesës, gjyqtarja ka lënë në fuqi vendimin në favor të palës. Prokuroria kërkoi gjithashtu edhe konfiskimin e pasurisë deri në vlerën 50 mijë euro. Kjo është pretenca e prokurorisë: Majlinda Andrea, 4 vjet burg; Odhisea Andrea, 5 vjet burg; Petraq Dashi, 4 vjet burg; Ilia Cabiri, 2 vjet burg dhe Eleni Lino, 1 vit burg.

Artikulli paraprakCUNGU: S’KA TENDENCË ME CICMIL, PËRJASHTIMI PROFESIONAL
Artikulli tjetërRINAS, NDALOHET GREKU ME PAJISJE TË DYSHUAR PËRGJIMI