Një ngjarje tragjik është shënuar mëngjesin e sotëm në Kavajë, ku një makinë ka dalë nga rruga dhe ka marrë para njerëzit, duke iu marrë jetën dy personave dhe duke çuar kështu në tetë numrin e të vdekurve në rrugë brenda kësaj jave.

Burime bëjnë me dije se kanë mbetur viktima të këtij aksidenti vjehrri dhe nusja, Xhemil dhe Edlira Pisku. Ngjarja e rëndë ka ndodhur te ‘Mali i Robit’, ku ka mbetur i plagosur edhe fëmija që ishte me viktimat, i cili është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë, dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Nga informacionet e para, mësohet se Automjeti autoveturë ‘Toyota corolla’, me targë AA686OL, ka dalë nga rruga dhe ka marrë para këmbësorët. Mjeti drejtohej nga 30-vjeçarja Ilda Parroj, e cila është shoqëruar në polici, ndërsa testi i alkoolit ka rezultuar negativ.

Ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte mjeti, si dhe lagështia në rrugë, që kanë nxjerrë nga rruga makinën, duke u bërë shkak i aksidentit tragjik. Makina ka aksidentuar personat, që po prisnin në anë të rrugës furgonin dhe autobusët e linjës.

Kjo është ngjarja e tretë e rëndë brenda kësaj jave, ku më 22 shkurt një tjetër aksident tronditi qytetin e Durrësit, duke iu marrë jetën dy personave, ndërsa mbrëmjen e të dielës një tragjedi në Velipojë shënoi katër viktima, ku u shua gjithë familja Preka, babai me tre fëmijët.

Artikulli paraprakIDENTIFIKOHET PËRSONI I MBYTUR NË LUMIN DRIN
Artikulli tjetërBUSHATI: SHQIPËRIA I BASHKOHET BE BRENDA 10 VITEVE TË ARDHSHME