Për dy muaj me radhë Vllaznia ka mbajtur në radhët e saj një futbollist ilegal.
Nuk bëhet fjalë për azilant si në ekipet e mëdha të Europës por për Mohamad Kdouh, futbollistin që erdhi me shumë bujë tek Vllaznia. Ai ndodhet në Bierut në Liban dhe tregon historinë e trishtë të tij. “Për dy muaj ka qëndruar në mënyre ilegale tek Vllaznia. Nuk mund të kthehem më në Shqipëri tek Vllaznia sepse mua nuk ma kanë dhënë lejeqëndrimin për të ndenjur në Shqipëri. Policia më ka ndalur disa herë duke më krijuar probleme. I kam pyetur drejtuesit se përse nuk më jepet lejeqëndrimi dhe më kanë thënë gjithë kohën se jemi duke punuar për këtë gjë. Unë nuk të lejoja ta fusja veten në këto probleme dhe jam larguar sepse ilegal s’mund të qëndroja më. Tek Vllaznia e kanë ditur këtë gjë sepse ia kam thënë që ditën e parë por nuk kam bërë asgjë. Të gjithë lojtarët jo europian që kanë qenë tek Vllaznia e kanë patur këtë problem dhe jo vetëm unë. Nuk ia kanë dhënë askujt leje qëndrimet dhe kur kam shkuar në aeroport kam patur probleme. Nuk e janë shqetësuar aspak se na kanë krijuar një problem të madh. Kisha frikë sepse isha ilegal”. Sulmuesi Kdouh thotë se për 5 muaj me radhë nuk është paguar tek Vllaznia. “Tani jam në Beirut, në Liban duke pushuar. Tani nuk mund të kthehem në Shkodër sepse nuk kam lejeqëndrimin por edhe probleme financiare me atë klub. Vllaznia më ka borxh mua 5 paga sepse unë nuk jam paguar për 5 muaj me radhë që kam qëndruar në Shkodër. Kam pritur shumë që të marr paratë e mia por nuk kam marrë asgjë. Avokati im ka kontaktuar me klubin dhe i ka thënë se duhet që t’më paguajnë. Nuk e di pse s’më kanë paguar sepse s’më kanë dhënë një arsye. Më kanë gënjyer sepse më kanë thënë nesër nesër gjithë kohës por s’më paguan asnjëherë”. Libanezi Kdouh ashtu si edhe të tjerë do t’i drejtohet FIFA-s për të marrë nga Vllaznia paratë për 5 muaj që nuk u pagua…. “Këtë çështje do ta çoj në FIFA për të kërkuar paratë e mia. Avokati im ka dërguar letër klubit Vllaznia por s’kemi marrë përgjigje. Do t’i drejtohem FIFA-s për dy arsye. E para për paratë e mia që nuk mi kanë dhënë për 5 muaj dhe e dyta për lejeqëndrimin në Shqipëri sepse klubi Vllaznia nuk e ka realizuar dhe më kanë futur në probleme, avokati im po përgatit çdo gjë”. Kdouh thotë se pas ikjes të trajnerit Zmijani nuk e di arsyen pse nuk ka qenë as në 18-she tek Vllaznia… “Kur kam ardhur tek Vllaznia, muajin e parë kam luajtur gjithnjë në 11-shen e parë. Kur ndryshoi trajneri që Luan Zmijani dha dorëheqjen dhe erdhi Armir Grima atëherë mua më flakën jashtë skuadrës totalisht e madje nuk isha as në 18-she. I kam pyetur pse por s’më kanë dhënë asnjë përgjigje për këtë gjë. Ende sot nuk e di dhe shumë tifozë më kanë pyetur pse nuk luan dhe s’kam ditur çfarë t’i them. Nëse kanë patur diçka pse s’ma kanë thënë por kanë heshtur dhe s’merrja vesh asgjë”. Praninë e tij tek Vllaznia e quan një eksperiencë të keqe por Kdouh ka respekt për Shkodrën dhe Shqipërinë ndërsa falenderon tifozët kuqeblu…. “Ishte një eksperiencë e keqe për mua tek Vllaznia. Gjithsesi kam respekt për skuadrën dhe kam dhënë më të mirën time dhe qëndrova 5 mnuaj pa u paguar. Jam munduar që të jap maksimumin për ta ndihmuar skuadrën por ata nuk e kanë dashur këtë gjë dhe çfarë mund të them unë. Tek Vllaznia e kam kaluar mirë me lojtarët, shumë miqësor dhe me ta s’kam patur asnjë problem. Kam kujtime të bukura me shokët e skuadrës dhe do vija sërish në Shqipëri por me kushte të tjera sepse e respektoj Shqipërinë. Kam edhe një mesazh për tifozët e Vllaznisë. Dua t’i them se gjithçka do bëhet më mirë dhe t’ju falenderoj që e keni ndjekur skuadrën në moment të vështira. Shpresoj që Vllaznia të kthehet shumë shpejt ashtu siç dëshirojnë tifozët dhe problemet të marrin e fund në mënyrë që ky ekip të jetë pretendent për trofetë”. Gjatë bisedës Kdouh ndjen keqardhje që është larguar nga Vllaznia por sipas tij e kanë detyruar duke mos i lënë zgjidhje tjetër.