Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, shpreh keqardhjen që Kuvendi përmes komisioneve parlamentare shqyrtoi gjatë kësaj jave dy projektligjet e njohura si “Paketa Anti-Shpifje”.

Sipas saj, këto ligje kanë nevojë për përmirësim urgjent.
“Disa dispozita në të vërtetë nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Unë jam veçanërisht e shqetësuar sepse kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe futja e rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe liria e mediave në vend”.

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut thekson se është me rëndësi të madhe të sigurohet që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe të mbizotërojë vetërregullimi nga media, përfshirë mediat online.

Mijatović u bën thirrje deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i afrojnë ato me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës.

Mazhoranca pritet ta kalojë për votim paketën antishpifje në seancën plenare të ditës së nesërme.

Artikulli paraprakVIHET NË SEKUESTRO PREVENTIVE TOKA ME VLERË 2.3 MILIONË EURO
Artikulli tjetërARRESTIMET PAS TËRMETIT, NJË GRUAJE I BIE TË FIKËT NË SALLËN E GJYQIT