KE për mbetjet: Shqipëria nuk ka infrastrukturën e duhur të kontrollit. Bëni ligj me standarde europiane.
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për kontrollin e mbetjeve të importuara. Përmes një reagimi me shkrim pas kërkesës së ABC News, Komisioni Europian kërkon që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet europiane përpara se të nisë importi. Komisioni Europian konsideron se Shqipëria nuk ka ende infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe sistemet e duhura për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve në Shqipëri. Sipas KE-së, ndarja e mbetjeve në Shqipëri nuk ka filluar ende me përjashtime të pakta dhe normat e riciklimit janë shumë të ulëta. “Shqipëria duhet të bëjë përafrimin me direktivën dhe rregulloret e BE-së , duke lejuar importin e mbetjeve, përmes rritjes së klasifikimit të mbetjeve në burim, riciklimit, mbylljes së derdhjeve të paligjshme, ndërtimit të instalimeve të mbetjeve” shprehet KE-ja në përgjigjen e drejtuar nga ABC News mbi kredibilitetin e importit të mbetjeve në Shqipëri, kur vendi arrin të riciklojë vetëm 30% të mbetjeve të vendit. Në këtë përgjigjje, ekzekutivi europian nënvizon dukshëm dobësitë e Shqipërisë lidhur me kapacitet për menaxhimin dhe importin e mbetjeve: “Forcimi dhe zbatimi i ligjit për menaxhimin e mbetjeve është kyç, pavarësisht regjimit të importit të mbetjeve, që është në fuqi aktualisht. Shqipëria duhet të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme , si dhe të institucioneve dhe sistemeve për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve. Një kujdes i veçantë duhet të tregohet për minimizimin e mbetjeve nëpërmjet parandalimit të mbetjeve, grumbullimit të diferencuar dhe riciklimit. Në këtë kontekst, është i domosdoshëm sigurimi i kapaciteteve administrative dhe teknike së bashku me investime themelore. Zgjidhja e problemit të mbetjeve në Shqipëri është një çështje serioze dhe kërkon teknikën dhe financat e duhura, vullnetin politik, dhe ndërgjegjësimin e publikut” thuhet në përgjigjjen e KE-së. Komisioni Europian rikujton, se në bazë të progres-raportit të vitit 2013 për Shqipërinë , thuhet se “Menaxhimi i mbetjeve mbetet një çështje serioze shqetësuese në Shqipëri. Ndarja e mbetjeve nuk ka filluar ende me përjashtime të pakta dhe normat e riciklimit janë shumë të ulëta. Industria e riciklimit është sapolindur dhe ka nevojë të importojë materialet e nevojshme të para nga jashtë vendit. ” Bashkimi Evropian shprehet i gatshëm për t’i ofruar Shqipërisë legjislacionin dhe praktikat më të mira në përputhje me standardet e BE-së.