Komisioni Evropian nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proçes. Nëpërmjet kësaj deklarate ditën e martë zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat, nuk është në një mëndje me pretendimin e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.
“Ne nuk jemi të fokusuar në një datë, por të fokusuar në punën me vendet kandidate për t’u përgatitur dhe për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant në një konferencë të përditshme për shtyp të martën, 29 gusht 2023.
Zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat tha se Charles Michel nuk ishte konsultuar me Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen, për përmbajtjen e fjalimit të tij të zgjerimit të hënën në një samit në Slloveni. Mosmarrëveshja e fundit publike midis von der Leyen dhe Michel vijnë pasi tema e zgjerimit të BE-së po diskutohet shumë në Bruksel, raportojnë mediat e huaja. Propozimit të Charles Michelit, iu bashkua edhe thirrja e presidenti francez Emmanuel Macron të hënën. Ai sugjeroi një BE me masa ‘jo shtrënguese’ në lidhje me pranimin e vendeve kandidate që duan të anëtarësohen në unionin evropian. Disa vende të Ballkanit kanë pritur shumë vite për t’u anëtarësuar në BE, sipas kuadrit ligjor, pasi ata duhet të plotësojnë një sërë kërkesash përpara se kjo të bëhet e mundur. Udhëheqësit e BE-së do t’i përkushtohen kësaj teme në një samit të ardhshëm në tetor, pasi lufta në Ukrainë ka ringjallur debatin mbi zgjerimin e bllokut. Kjo tematikë u diskutua edhe në Forumin e Bled në Slloveni, ku të pranishëm ishin krerët e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Kryministri Edi Rama. Kryeministri theksoi se ‘euro-optimizmi’ i shqiptarëve për t’u bërë anëtarë të BE-së do të jetë edhe për 2 dekada ndërsa i kërkoi vetë Charles Michel, që BE të mbajë premtimin.